Një raport i ri nga dy grupe të industrisë ushqimore tregon një rritje të fortë të interesit për mishin si zgjedhje “e shëndetshme”, pavarësisht paralajmërimeve të mjekëve për rreziqet që sjell konsumimi i tepërt i mishit të kuq.
Mbi 75% e konsumatorëve në SHBA tani e konsiderojnë mishin dhe shpendët pjesë të një diete të shëndetshme, një rritje e ndjeshme nga 64% në vitin 2020. Sipas raportit nga FMI, The Food Industry Association dhe Meat Institute, 45% e njerëzve po përpiqen aktivisht të gatuajnë më shumë vakte me mish, ndërsa 31% e bëjnë këtë herë pas here.
Ky trend ushqehet kryesisht nga obsesioni me proteinën, e cila tashmë është në qendër të interesit të konsumatorëve. Megjithatë, ekspertët theksojnë se shumica e njerëzve marrin mjaftueshëm proteina.
“Shumica e individëve i përmbushin nevojat e tyre ditore,”shpjegon nutricionistja Erin Hennessy. Ajo paralajmëron se më shumë proteina nuk do të thotë automatikisht më shumë përfitime. Përkundrazi, teprica mund të shkaktojë dehidrim, të dëmtojë veshkat dhe të kontribuojë në probleme të tjera shëndetësore.
Nga ana tjetër, mishi, megjithëse burim i fuqishëm proteine, mbart edhe rreziqe. Yndyrnat e ngopura, të njohura prej dekadash, mund të rrisin kolesterolin dhe të shtojnë rrezikun për infarkt apo goditje në tru. Për më tepër, ekspertët lidhin konsumimin e lartë të mishit me inflamacion, disa lloje kanceri dhe diabet tip 2.
Ndërkohë, udhëzimet e reja ushqimore kanë rritur dozën e rekomanduar të proteinës në 1.2–1.6 gram për kilogram peshë trupore. Por organizatat shëndetësore këshillojnë burime më të shëndetshme, si bishtajoret, arrat, drithërat integrale dhe peshku, të pasura edhe me fibra, të cilat mungojnë te shumica e njerëzve.
Pavarësisht alarmit, mishi mbetet i pazëvendësueshëm: 68% e blerësve e konsiderojnë atë “të panegociueshëm” në buxhetin e tyre ushqimor. / Health Day – Syri.net
