Lajme

Fillojnë sfidat në sigurimin e teksteve shkollore

Ka mbetur edhe pak ditë deri në hapjen e dyerve të shkollave.

Prind të shumtë ia kanë mësy librarive për të përfunduar përgatitjet e fundit për një fillim të vitit të ri shkollor.

Në mesin e tyre është edhe Fëllanza Krasniqi, e cila erdhi këtu për të blerë librat për djalin i cili është në klasën e 7.

Por ajo nuk arriti të i blej të gjitha tekstet.

“Lista na ka ardh nga kujdestarja e klasës por shumicën e librave nuk i gjeta, gjuhën shqipe, matematikën, fizikën, kimin edhe gjuhën angleze”, thotë ajo.

Të gjitha librat nuk arriti të i sigurojë për vajzën as Resmije Nitaj.

Por Nitaj ka edhe një ankesë tjetër.

“Shumicën po, me mungesë të matematikës dhe gjuhës shqipe të cilat janë në prodhim nga Dukagjini dhe shpresoj që javën tjetër i kompletojna. 80 euro është një shumë minimale jashta fletorëve dhe ngjyrave librave komplet, se 70 euro me kushtuan me mungesë të dy librave që janë katër libra faktikisht me fletore pune”, shprehet Nitaj.

Një shqetësim për mungesën e librave e ka shprehur edhe drejtoresha e arsimit në komunën e Prishtinës, Jehona Lushtaku.

“Nëse shkoni në librari nuk ka libra të botuara. Sepse edhe shtëpitë botuese nuk kanë qenë të informuam me numrin që duhet t’i bëjnë. Prandaj sot Kosova disa prindër kanë filluar të subvencionohen por nuk ka libra për t’i blerë, kjo është paradoksale dhe flet për paaftësi të ministrisë së Arsimit”, thotë ajo.

Por probleme deri me tani në sigurimin e librave në shkollën “Emin Duraku” nuk kanë pasur.

“Deri sot nuk kemi pranuar ndonjë ankesë prej prindërve  ndoshta mund të ketë ndonjë vonesë por ka kohë edhe 10 ditë, besoj shtëpitë botuese kanë tirazh të mjaftueshme por deri sot nuk kam pranuar ankesë që nuk po mund të gjejë librat”, tha drejtori Visar Ramadani.

Kritika për formën e sigurimit të librave kanë edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit.

“Është gabim mundësia për zgjedhjen teksteve shkollore, unë e konsideroj që arsimi është unik,  që gjeografi duhet të jetë e njëjtë për krejt Kosovë, biologjia e njëjtë … e këto tekste që do të vlerësonte e do te jepte nënshkrimin e fundit Akademia e Shkencave të shpërndahen shkollat” u shpreh Rrahman Jashari.

Ministria e Arsimit këtë vit ka vendosur që të subvencionojë prindërit e nxënësve të klasave 1 – 5 për blerjen e librave me 80 euro, ndërsa prindërit e klasave 6 – 9 do të subvencionohen me shumën prej 110 eurosh.

 

 

Tags: