Ka nisur betonimi i urës së re që do të lidhë rrugën magjistrale Podujevë-Prishtinë me rrugën “Vëllezërit Frashëri”.
Punimet në këtë projekt infrastrukturore janë parë nga afër sot nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili tha se kjo kyçje e re pritet të ndikojë në lehtësimin e qarkullimit në qytet.
“Sot ka nisur betonimi i urës që lidh rrugën magjistrale Podujevë–Prishtinë me rrugën ‘Vëllezërit Frashëri’. Kjo kyçje e re do të lehtësojë edhe më tej qarkullimin dhe do të përmirësojë lëvizjen në hyrje dhe dalje të qytetit”, deklaroi Bulliqi.
Sipas tij, institucionet lokale do të vazhdojnë investimet në infrastrukturë, me synim krijimin e një rrjeti rrugor më modern dhe funksional për qytetarët.
“Si institucione lokale, do të vazhdojmë të investojmë në krijimin e një infrastrukture sa më moderne, funksionale dhe të përshtatshme për qytetarët tanë”, u shpreh kryetari i Podujevës.
