Lajme

Fillon mbështetja financiare për mbi 1 mijë familje në kuadër të reformës së asistencës sociale

Ministria e Financave ka njoftuar se, ka filluar mbështetja financiare për 1 mijë e 824 familje në kuadër të pilotimit të reformës së asistencës sociale.

Sipas njoftimit, këto familje në të kaluarën nuk kanë përfituar asistencë sociale për shkak të kritereve diskriminuese.

“Anëtarët e aftë për punë nga këto familje duhet të regjistrohen në zyrat e punësimit në komunat e tyre brenda 30 ditë pune pas pranimit të njoftimit aprovues. Ky hap është i rëndësishëm, pasi përveç mbështetjes financiare, reforma parashikon aktivizimin e anëtarëve të aftë për punë në tregun e punës, pra parandalimin e varësisë së familjeve nga skema e asistencës sociale”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se familjet e përzgjedhura kanë pranuar njoftimet aprovuese së bashku me më shumë informata në llogaritë e tyre në eKosova gjatë ditës së hënë, ndërsa familjet me të cilat kontakti ka qenë i pamundur do të njoftohen që të përditësojnë kontaktin e tyre përmes llogarisë në eKosova.