Lajme

Financial Times: Xi e bindi Putinin të mos përdorte armë bërthamore

Xi Jinping ndërhyri personalisht dhe e paralajmëroi Vladimir Putinin që të mos përdorë armë bërthamore gjatë pushtimit të Ukrainës. Kjo lëvizje, siç raportohet nga Financial Times, zbuloi shqetësimet e Pekinit pavarësisht nga mbështetja që i ofron Moskës. Mesazhi u dha ballë për ballë gjatë vizitës zyrtare të presidentit kinez në Moskë marsin e kaluar, e cila ishte një nga udhëtimet e tij të para pas izolimit për shkak të COVID-19.

Lufta në Ukrainë i ka vënë Moskën dhe Pekinin në një kurs përplasjeje me pjesën tjetër të botës. Kina zyrtarisht kundërshton përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë. Megjithatë, shumë prej mbështetësve të Kievit dyshojnë në qëllimet e Pekinit, duke pasur parasysh bashkëpunimin e ngushtë që vendi ka me Rusinë dhe planin e paqes të propozuar nga Pekini.

“Armët bërthamore janë siguria e fundit e Putinit kundër humbjes së kësaj lufte,”- tha Alexander Gabuev, drejtor i Qendrës Carnegie Russia Eurasia, por paralajmërimi i Xi dhe kërcënimi i mundshëm i pasojave u jep atyre shpresë se Kina nuk do t’i thotë disa gjëra në publik dhe të tjera pas dyerve të mbyllura.

“Kinezët pretendojnë se janë ata që dërguan mesazhin në të gjitha nivelet”, thotë një zyrtar i lartë amerikan. Asokohe, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha në mars se vizita e Xi do e zvogëlonte rrezikun e luftës bërthamore.

Nga ana e tij, Putini ishte i pakënaqur me rezultatet e vizitës së Xi, pasi ajo nuk dha frytet që ai donte, si psh. miratimin për tubacionin e shumëpritur “Fuqia e Siberisë-2”.

Pse Rusia kërkon mbështetjen e Kinës?

Rusia po mbështetet te Kina për luftën në Ukrainë pasi e ka ndihmuar atë të anashkalojë sanksionet ekonomike që e kanë shkëputur atë nga tregjet e rëndësishme globale dhe zinxhirët e furnizimit. Vitin e kaluar tregtia dypalëshe e Kinës me Rusinë arriti një rekord prej 190 miliardë dollarësh. Për më tepër, Kina, duke shmangur kritikat ndaj Rusisë, akuzon Perëndimin se ka nxitur luftën në Ukrainë duke armatosur Kievin me armë. Edhe në mënyrë të fshehtë, Pekini ka folur për “akte katastrofike hegjemonie, dominimi dhe tiranie”, që sipas tyre erdhën si rezultat i sanksioneve të SHBA.

Lufta në Ukrainë kërcënon përpjekjet e Kinës për të krijuar një pykë midis Evropës dhe SHBA-së. Një sulm bërthamor rus ndaj Ukrainës ose një prej aleatëve të saj evropianë do t’i kthente evropianët kundër Kinës. Zyrtarët pranë Kremlinit thonë se vetë Putini vendosi të ndalojë kërcënimet për përdorimin e armëve bërthamore, sepse ai kuptoi se disavantazhet e përdorimit të tyre peshonin më shumë se avantazhet.

Një sulm bërthamor do t’i kthente zonat e pushtuara dhe të pretenduara nga Putin për Rusinë në një shkreti bërthamore, një lëvizje që nuk do të ndihmonte as avancimin e forcave në terren.

“Megjithatë, nëse Putin vendos ta përdorë ‘butonin e tij të kuq’, askush nuk do ta ndalojë atë, madje as Kina,”- thekson Alexander Gabuev, drejtor i Qendrës Eurasia Carnegie Russia.