Presidenti amerikan, Joe Biden, do të mbajë sot një fjalim mbi gjendjen e Kombit i cili nga shumë analistë shihet edhe si një moment kyç për perspektivën e rizgjedhjes së tij në krye të Shtëpisë së Bardhë.
“Do të dëgjoni presidentin të parashtrojë arritjet historike që ai ka përmbushur për popullin amerikan dhe vizionin e tij për të ardhmen”, – tha Karine Jean-Pierre, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë
Fjalimi i Biden i cili pritet të ndiqet nga mijëra njerëz, është një prej momenteve më të rëndësishme në Uashington, ndërsa priten mesazhe të rëndësishme për luftën në Ukrainë, konfliktin midis Hamasit dhe Izraelit si dhe planeve të Putin për të përhapur konfliktin në Europë.
Fjalimi vjen një ditë pasi republikanët pranuan se Donald Trump do të jetë me gjasë kandidati i tyre për presidencialet e nëntorit.
“Tani i takon Donald Trump të fitojë votat, në partinë tonë dhe përtej saj, edhe nga ata të cilët nuk e mbështetën”, – u shpreh Nikki Haley, ish-kandidate presidenciale.
Ish-guvernatorja e Karolinës së jugut Nikki Haley u tërhoq nga gara pas disfatës në zgjedhjet parapake të super të martës, duke i hapur rrugën një tjetër beteje mes Biden dhe Trump në nëntor. Biden pritet t’i shtrijë dorën edhe mbështesve të Hailey, por një punë atij i duhet të bëjë edhe brenda demokratëve, mes rritjes së pakënaqësisë për qasjen ndaj konfliktit Izrael-Hamas. Mosha e presidentit, e cila ka qenë në qendër të kritikave të kundërshtarëve të tij, do të marrë një përgjigje nga vetë banori i Shtëpisë së Bardhë.
“Mosha e ideve të presidentit ka rëndësi. Idetë e Donald Trump janë të 50 viteve më parë, Presidenti po punon për të adresuar kërcënimin ekzistencial të paraqitur nga ndryshimet klimatike dhe për të udhëhequr vendin në të ardhmen”, – u shpreh Ben LaBolt, Drejtor i Komunikimit të Shtëpisë së Bardhë.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo