
1
Nuk thuhet pa arsye “gjendje tjetër” kur mendohet për shtatzëninë
Gjatë atyre nëntë muajve, organizmi i gruas kalon nëpër një sërë ndryshimesh hormonale që ndikojnë pothuajse në çdo sistem trupor.
Një nga ndryshimet më të dukshme është ai që ndodh me flokët dhe qimet në trup. Falë rritjes së nivelit të hormoneve si estrogjeni dhe progesteroni, cikli i rritjes së flokëve zgjatet, gjë që do të thotë se më pak flokë bien dhe më shumë flokë qëndrojnë në fazën e rritjes. Kjo është arsyeja pse shumë gra shtatzëna përjetojnë flokë më të dendur dhe me shkëlqim.
Por efekti nuk kufizohet vetëm në flokët e kokës. Qimet në trup, përfshirë ato në duar, këmbë, bark apo edhe fytyrë, mund të rriten më shpejt dhe në mënyrë më të dukshme. Kjo ndodh për shkak të ndjeshmërisë së lartë të folikulave të qimeve ndaj hormoneve të shtuar, veçanërisht androgjenëve, të cilët mund të jenë më aktivë gjatë shtatzënisë, transmeton Telegrafi.
Kjo rritje mund të jetë shqetësuese për shumë gra, veçanërisht kur qimet shfaqen në vende ku nuk kanë qenë më parë, si në bark, rreth thithave apo në pjesën e sipërme të buzës. Por nuk ka vend për frikë: në shumicën dërrmuese të rasteve, këto ndryshime janë të përkohshme dhe zbuten ose zhduken pas lindjes, kur nivelet hormonale fillojnë të stabilizohen.
A duhet ndërhyrje?
Heqja e qimeve në shtatzëni është përgjithësisht e sigurt me metoda të tilla si rruajtja ose përdorimi i kremrave depilues (nëse nuk shkaktojnë alergji). Megjithatë, duhet shmangur trajtimi me laser apo elektrolizë, sidomos në zonën e barkut, për shkak të mungesës së të dhënave të mjaftueshme për sigurinë e tyre gjatë shtatzënisë.
Pas lindjes, çfarë ndodh?
Pas lindjes, shumë gra përjetojnë rënien e flokëve në një masë më të madhe se zakonisht, një gjendje e njohur si efluvium telogen. Kjo është normale dhe zakonisht zgjat disa muaj. Edhe qimet shtesë në trup zakonisht bien ose bëhen më të rralla me kalimin e kohës.