Lajme

FMN vlerëson progresin e ATK-së në zbatimin e reformave tatimore

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka pritur gjatë kësaj jave përfaqësuesit e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Frank van Brunschot dhe Jim Sorensen, me të cilët janë zhvilluar takime lidhur me zbatimin e rekomandimeve të FMN-së dhe avancimin e reformave në administrimin tatimor.

Gjatë takimeve, përfaqësuesit e FMN-së kanë vlerësuar progresin e arritur nga ATK-ja në zbatimin e Planit Strategjik 2022–2026, veçanërisht në forcimin e qeverisjes institucionale, menaxhimin e rreziqeve të përmbushjes tatimore dhe zhvillimin e funksioneve kryesore të administrimit tatimor.

Vlerësim i është dhënë edhe rezultateve në mbledhjen e të hyrave, të cilat, sipas ATK-së, kanë kontribuar në krijimin e një baze më të qëndrueshme institucionale dhe operative për vitet në vijim.

Në këtë takim është diskutuar edhe Strategjia e ATK-së për periudhën 2027–2031, e cila parasheh avancimin e transformimit institucional përmes digjitalizimit, përdorimit të të dhënave, orientimit drejt tatimpaguesve dhe fokusimit në rezultate konkrete.

Po ashtu, është shqyrtuar progresi në zbatimin e programit të fazës së tretë për Evropën Juglindore, të financuar nga EU-SECO, si dhe prioritetet për mbështetjen e ardhshme në zhvillimin e kapaciteteve përmes Qendrës Rajonale për Asistencë Teknike për Evropën Juglindore (SEETAC) të FMN-së.

ATK ka bërë të ditur se vëmendje e veçantë gjatë diskutimeve i është kushtuar zbatimit të rekomandimeve dhe vazhdimit të bashkëpunimit në funksion të reformave.

Administrata Tatimore e Kosovës ka vlerësuar bashkëpunimin me FMN-në, duke e cilësuar atë si mbështetje të rëndësishme për zhvillimin e kapaciteteve profesionale, forcimin institucional dhe modernizimin e administrimit tatimor në vend.

Të Ngjashme