Lajme

Forcat izraelite futen në Gaza, palestinezët vajtojnë viktimat

Gaza është lënë kryesisht e izoluar nga bota e jashtme pasi Izraeli ndërpreu linjat e komunikimit me territorin të premten mbrëma. Në një deklaratë zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari bëri me dije se gjatë natës forcat izraelite u futën në Rripin e Gazës.

“ Zgjeruan operacionin tokësor ku marrin pjesë këmbësoria, forca të blinduara dhe njësitë inxhinierike dhe artileria me zjarr të rëndë”, tha Hagari gjatë një konference për shtyp në Tel Aviv.

“Forcat janë në terren dhe vazhdojnë luftimet”, shtoi ai duke mos dhënë më tepër detaje.

Fjalët e zëdhënësit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, konfirmojnë se operacioni ushtarak ka pësuar një zgjerim të konsiderueshëm. Megjithatë, kjo lëvizje e tyre nuk duket sikur ndonjë ofensivë e madhe tokësore e cila synon kapjen dhe mbajtjen e territorit.

Ndërtesa të shkatërruara gjatë bombardimeve izraelite më 28 tetor në Gaza.
Ndërtesa të shkatërruara gjatë bombardimeve izraelite më 28 tetor në Gaza.

Ndër të tjera, zëdhënësi tha se asnjë ushtar nuk ka humbur jetën gjatë luftimeve të mbrëmjes së kaluar, teksa theksoi se do vazhdojnë që të bëjnë gjithçka për të mbajtur forcat ushtarake të sigurta.

Më poshtë janë zhvillimet më të fundit:

  • Luftimet në Gaza: Forcat tokësore izraelite janë brenda Gazës pasi kanë hyrë gjatë natës nga veriu. Zëdhënësi i ushtrisë Daniel Hagari tha se operacioni ushtarak izraelit kishte pësuar një zgjerim të konsiderueshëm pas dy “sulmeve të synuara” në fillim të kësaj jave.
  • Një ofensivë tokësore është pritur gjerësisht pas sulmeve të papritura të Hamasit, me Izraelin duke grumbulluar mijëra trupa në kufi. Por nuk duket ende një operacion i rëndësishëm që synon kapjen dhe mbajtjen e territorit.
  • Vazhdojnë sulmet e artilerisë: IDF vazhdoi të kryejë sulme të rënda artilerie kundër Gazës veriore të shtunën në mëngjes. Një ekip i CNN në terren në një pikë kontrolli izraelite pranë perimetrit të Rripit të Gazës raportoi shpërthime intensive dhe të vazhdueshme.
  • Palestinezet vajtojnë: Ata që jetojnë brenda Gazës u zgjuan nga pasojat e sulmeve ajrore intensive izraelite. Videoja e kapur nga CNN tregon trupa të shumtë, përfshirë ato të fëmijëve, të mbuluar me qefine të bardha ose batanije të trasha, të vendosura në tokë në një spital. Territori po përballet me një krizë humanitare, me mungesë të ushqimit, ujit dhe karburantit.
  • Rreth 2.3 milionë njerëz brenda Gazës tani nuk kanë qasje në internet dhe nuk janë në gjendje të bëjnë telefonata, sipas ofruesit palestinez të telekomit Paltel, pasi Forcat e Mbrojtjes izraelite (IDF) rritën ofensivën e saj tokësore.
  • Një termocentral i Gazës u mbyll menjëherë pasi shpërtheu lufta më 7 tetor, me agjencitë humanitare që paralajmëruan se ushqimi dhe karburanti së shpejti do të mbarojnë dhe spitalet do të shemben.