Lajme

Foshnja humbi jetën në spital, reagon QSUT: Iu dha ndihma e nevojshme, familjarët u informuan për komplikacionet

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur disa ditë më parë ku një foshnjë 9-ditëshe ndërroi jetë në ambientet e këtij spitali.

Nisur nga disa publikime në disa media online për rastin e foshnjës, që fatkeqësisht humbi jetën si pasojë e komplikacioneve që shoqërojnë anomali të rënda të sëmundjeve të zemrës tek një i porsalindur, shërbimi i Kardiokirurgjisë së QSUT, ka sqaruar se familjarët janë informuar përpara ndërhyrjes për komplikacionet e mundshme, mirëpo kanë marrë aprovimin e tyre për kryerjen e këtij operacioni.

Ata theksojnë se stafi i mjekëve në spitalin e QSUT kanë qenë në përkujdesje të plotë të së miturit si gjatë operacionit dhe pas tij, duke e ndjekur me shumë kujdes.

Kujtojmë se disa ditë më parë familjarët e foshnjës thanë se i porsalinduri kishte nevojë nevojë të menjëhershme për një ndërhyrje kirurgjikale, por sipas babit, në spital s‘kishte as sallë operimi dhe as specialistë. Prindërit e të porsalindurit akuzuan drejtoreshën e QSUT, Albana Ficon, si edhe drejtoreshën e maternitetit E. Demaliaj, për mos krijim të kushteve për personat që vuajnë nga problemet në zemër.

“Në spital mungonin ilaçet dhe aparaturat e duhura. Djali kishte transpozicion të enëve të zemrës dhe duhej ndërhyrje e menjëhershme kirurgjikale. Nuk kishte as sallë operimi për fëmijë, as specialistë.

Ilaçi që mund të trajtohej përkohësisht mungonte si në QSUT ashtu edhe në maternitet. Ndërhyrja djalit iu bë në repartin e kardiologjisë. Operacioni zgjati 5 orë dhe doli me sukses dhe mjeku më tha që duhet të urinonte që të pastrohej. Spitali nuk dispononte aparaturat e duhura dhe kjo solli rëndim më shumë të gjendjes së djalit. Djali ndërroi jetë në orën 05:00 të 25 gushtit”, tha babai i foshnjës më herët. 

Reagimi i plotë i Spitalit:

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” çdo ditë mban mbi supe misionin jetëshpëtues për dhjetëra mijëra qytetarë që vijnë nga gjithë Shqipëria, por edhe nga trevat përreth. Ndër vite janë trajtuar me shumë sukses mbi 1300 raste të pacientëve të vegjël.

Edhe gjatë ndërhyrjes së kryer ndaj fëmijës B.D, edhe pas operacionit, përkujdesja e mjekëve ka qenë maksimale dhe i është dhënë shërbimi i nevojshëm, duke u ndjekur me shumë kujdes nga ekipi reanimator i QSUT-së.

Familjarët janë informuar edhe përpara ndërhyrjes për komplikacionet e mundshme post operatore, për gjendjen e patologjisë së lindur dhe atë të fëmijës përpara ndërhyrjes. Mjekët kanë marrë aprovimin e tyre për kryerjen e ndërhyrjes.

Ndjejmë të nevojshme të theksojmë se asnjë pjesëtar i stafit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk është kontaktuar për të dhënë shpjegime për rastin në fjalë, në mënyrë që rasti të pasqyrohej i balancuar në opinionin publik.

Ndaj, duke marrë parasysh pasaktësitë në publikimet mediatike, theksojmë se puna e këtij shërbimi kombëtar jetëshpëtues, minimumi duhet të trajtohet i verifikuar dhe duke marrë parasysh të gjitha detajet e rastit në fjalë.

QSUT është dhe do të mbetet adresa e përditshme e problematikave të tyre shëndetësore dhe nuk i meriton në asnjë rast komentet keq informuese nga askush.