Lajme

FSK-ja dhe Policia në ushtrim me SHBA-në, Shqipërinë dhe Kroacinë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se nga 21 shtatori deri më 2 tetor do të zhvillohet ushtrimi fushor shumëkombësh “VALOR SHIELD 2026”.

Në ushtrim do të marrin pjesë FSK-ja dhe Policia e Kosovës, së bashku me forcat partnere nga SHBA-ja, Shqipëria dhe Kroacia.

Sipas Maqedoncit, ushtrimi synon forcimin e bashkëpunimit, rritjen e gatishmërisë dhe përmirësimin e ndërveprueshmërisë së forcave të sigurisë.

Gjatë këtyre ditëve do të ketë lëvizje të personelit dhe automjeteve ushtarake e policore në Drenas, Obiliq, Fushë-Kosovë dhe Prishtinë.

Postimi i plotë:

Nga 21 shtatori deri më 2 tetor 2026, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës 🇽🇰, së bashku me forcat partnere nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës 🇺🇸, Shqipëria 🇦🇱 dhe Kroacia 🇭🇷, do të zhvillojnë ushtrimin fushor shumëkombësh “VALOR SHIELD 2026”.

Qëllimi i këtij ushtrimi është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Përmes tij do të rritet gatishmëria operacionale, do të përmirësohet koordinimi dhe ndërveprueshmëria ndërmjet forcave, si dhe do të zhvillohen kapacitetet e përbashkëta për t’iu përgjigjur në mënyrë profesionale dhe efektive sfidave të sigurisë.

Gjatë ushtrimit do të ketë lëvizje të personelit dhe automjeteve ushtarake e policore nga vendbazimet e FSK-së drejt komunave të Drenasit, Obiliqit, Fushë-Kosovës dhe Prishtinës. Këto lëvizje do të zhvillohen sipas planit dhe në koordinim me institucionet përgjegjëse.

I falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. Ushtrime të tilla kontribuojnë në forcimin e sigurisë së vendit, rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët dhe aleatët tanë.

Të Ngjashme