ShowBizzz

Fuga kujton peripecinë me shëndetin: Ishte kulmi ta shikoje dorën e mos ta lëvizje

Aktori i njohur, Genc Fuga foli sot për peripecinë lidhur me problemin shëndetësor që kaloi gjatë verë së 2023-it.

Fuga iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale të vështirë pas një ishemie në tru. Për fat të mirë aktori gëzon sot shëndet të plotë.

I ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Genc Fuga tregoi se çfarë ka ndjerë në momentin e parë kur pësoi episodin në tru. Ai tha se goditja në tru e paralizoi dhe se ishte kulmi ta shikonte dorën e mos ta lëvizte dot.

Rudina Magjistari: Në momentin e parë Genc kur, le të themi, kuptove dhe mësove çfarë kishte ndodhur, çfarë mendove? Çfarë ndieje në ato çaste, në ato orë le të themi?

Genc Fuga: E para ishte… unë e kam të vështirë të mos e lidh me aspektin humoristik. Ishte kulmi ta shikoje dorën dhe mos ta lëvizje dot. Ishte kulmi, që të të mos bindej edhe dora jote. Mbaj mend vetëm një sekuencë, një ndër sekuencat, se shumë herët për të harruar, kisha Enin te koka dhe ishte momenti kur nëpërmjet ndërhyrjes do më kthenin zërin. Mirëpo, deri në atë moment komunikoja me infermieret dhe me Enin, kryesisht me shenja dhe me tinguj. Edhe më hoqën atë pajisjen dhe më erdhi zëri. Eni ishte prezente, edhe i thashë asaj infermieres: “Të lumshin duart, por ti nuk e di çfarë do heqësh tani se unë do flas”.

Rasti me sëmundjen e rëndë të aktorit u bë i njohur kur gruaja e tij bëri thirrje publike në rrjetet sociale dhe kërkoi ndihmë në mbledhjen e shumës prej 19 mijë eurosh, për ndërhyrjen kirurgjikale në një spital privat.

Në një kohë rekord, shuma e kërkuar jo vetëm që u sigurua, por u tejkalua.
Përmes aplikacionit gofundme u grumbulluan në total rreth 43 mijë euro. Po ashtu edhe qeveria mbuloi 2 milionë lekë të reja shpenzime për kurimin.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo


NewsBomb