Lajme

Fushata zgjedhore për 7 qershorin “nën lupë”, politologu zbërthen javën e parë të saj

Fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit ka hyrë në javën e parë të saj, me partitë politike që po zhvillojnë tubime dhe takime me qytetarë në qytete e fshatra të ndryshme të Kosovës.

Lidhur me këtë, politologu Fahredin Majkovci, në një prononcim për “Bota sot”, ka theksuar se Kosova po shkon në zgjedhje për herë të tretë brenda dy vitesh për shkak të mungesës së konsensusit politik

Ai ka vlerësuar se fushata ka nisur më herët se data zyrtare, ndërsa hapja e saj u karakterizua nga përpjekjet e pozitës dhe opozitës për të fajësuar njëra-tjetrën për ngërçin institucional dhe paqëndrueshmërinë politike.

“Para se të flasim për vetë fushatën, është e rëndësishme të ndalemi te arsyeja që e solli vendin në këto zgjedhje. Kosova po u drejtohet kutive të votimit për herë të tretë brenda dy vitesh, si pasojë e mungesës së konsensusit politik për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe sigurimin e stabilitetit të nevojshëm institucional.

Për më tepër, këtë herë, zgjedhjet erdhën si rezultat i pamundësisë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Pra, vendi nuk po shkon në zgjedhje për shkak të një debati të madh rreth ekonomisë, zhvillimit, arsimit, shëndetësisë apo çështjeve të tjera që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Përkundrazi, zgjedhjet janë produkt i mosmarrëveshjeve politike dhe i pamundësisë së klasës politike për të arritur marrëveshje mbi funksionimin e institucioneve shtetërore.

Në këtë kontekst, fushata zgjedhore në fakt nisi shumë më herët se data zyrtare e 28 majit. LDK-ja gjeti rrugën e bashkëpunimit me znj. Osmani, e cila ishte ndër figurat e para që nisi mobilizimin elektoral dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët.

Sa i përket hapjes zyrtare të fushatës, ajo u karakterizua nga përpjekja e pozitës dhe opozitës së deridjeshme për të imponuar narrativën se kundërshtari politik mban përgjegjegjësinë kryesore për ngërçin institucional dhe paqëndrueshmërinë politike të viteve të fundit”, ka thënë ai.

Image
Fahredin Majkovci

Tutje, Majkovci ka thënë se ditët e para të fushatës u dominuan nga akuzat e ndërsjella, në vend të prezantimit të programeve.

“Pra, në vend të prezantimit të programeve konkrete, ditët e para të fushatës u dominuan nga shkëmbimi i akuzave dhe gara për të bindur elektoratin se pala tjetër është përgjegjëse për faktin që Kosova po mban zgjedhje të parakohshme për herë të tretë brenda një periudhe kaq të shkurtër”, ka thënë ai.

Në fund, Majkovci ka thënë se opozita po fokusohet te ekonomia dhe ngërçi institucional, ndërsa pushteti te bilanci i qeverisjes dhe lufta kundër korrupsionit, duke e akuzuar opozitën për krizën.                                       

“Në ditët e para të fushatës mund të vërehen dallime në qasje. Opozita është fokusuar më shumë te premtimet ekonomike, pagat dhe kostoja e jetesës, por njëkohësisht po e vendos theksin edhe te ngërçi institucional, duke argumentuar se pushteti, ndonëse doli me mbi 51% të votave në zgjedhjet e kaluara, nuk arriti të krijojë stabilitet politik dhe institucional afatgjatë.

Nga ana tjetër, pushteti është fokusuar te bilanci i qeverisjes, lufta kundër korrupsionit, sovraniteti dhe rezultatet e mandatit të kaluar, ndërsa po përpiqet ta paraqesë opozitën si bashkëpërgjegjëse për shkuarjen në zgjedhje, me arsyetimin se mungesa e saj në Kuvend pamundësoi zgjedhjen e Presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të parakohshme.

Si rrjedhojë, retorika politike dhe debati mbi përgjegjësinë për krizën institucionale kanë dominuar më shumë sesa prezantimi i programeve konkrete. Megjithatë, në ditët në vijim pritet që partitë të shpalosin më qartë ofertat e tyre qeverisëse”, ka përfunduar Majkovci për “Bota sot”.

Të Ngjashme