Kur njerëzit arrijnë moshën e mesme, shumë prej tyre kanë më shumë përvojë se në të 20-at, e dinë më qartë se çfarë duan nga jeta dhe shqetësohen më pak për mendimin e të tjerëve.
Megjithatë, kjo periudhë sjell edhe një sërë ndryshimesh fizike dhe hormonale që mund ta bëjnë trupin të duket sikur po punon kundër nesh.
Përveç të ashtuquajturës “krizë e moshës së mesme”, ndryshimet hormonale, përfshirë menopauzën, dhe ngadalësimi i metabolizmit mund ta bëjnë më të lehtë shtimin në peshë, veçanërisht rreth barkut.
Në të njëjtën kohë, mosha e mesme, e përkufizuar zakonisht si periudha nga 40 deri në 65 vjeç, shoqërohet edhe me një rritje të rrezikut për sëmundjet e zemrës.
Me kalimin e viteve, enët e gjakut priren të bëhen më pak elastike, ndërsa tensioni arterial dhe niveli i kolesterolit mund të rriten.
Por sipas kardiologut Oliver Guttmann, disa zakone të përditshme që mund të duken të padëmshme – nga zgjedhja e produkteve “pa yndyrë”, te ngrënia vonë dhe qëndrimi ulur për shumë orë – mund të ndikojnë negativisht në shëndetin e zemrës.
“Shumica e njerëzve në të 40-at dhe 50-at nuk mendojnë shumë për sëmundjet e zemrës. Janë të zënë me punën, fëmijët dhe, në disa raste, me prindërit e moshuar. Shëndeti i zemrës shpesh nuk bëhet prioritet derisa të ndodhë diçka”, thotë ai.
Ora kur hani mund të ketë rëndësi
Në moshën e mesme, shumë njerëz kanë më shumë përgjegjësi profesionale, punojnë deri vonë dhe përfundojnë duke ngrënë darkë shumë afër orarit të gjumit.
Sipas Dr. Guttmann, kjo mund të jetë problematike.
“Ngrënia pak para gjumit e detyron trupin të menaxhojë një ngarkesë të madhe metabolike, si tretja dhe reagimi i insulinës, pikërisht në kohën kur organizmi duhet të fillojë të qetësohet.”
Kjo mund të lidhet me metabolizëm më të dobët të lëndëve ushqyese, çrregullim të gjumit dhe, me kalimin e kohës, me rritje të rrezikut për shtim në peshë dhe sindromë metabolike.
Studime të ndryshme e kanë lidhur ushqyerjen natën vonë me një rrezik më të madh për obezitet, i cili nga ana tjetër rrit rrezikun për diabet të tipit 2 dhe sëmundje të zemrës.
Pesha e tepërt, me kalimin e kohës, mund t’i dëmtojë arteriet dhe të favorizojë grumbullimin e depozitave yndyrore.
Nëse këto bllokojnë arteriet që furnizojnë zemrën me gjak, mund të shkaktojnë infarkt. Nëse prekin enët që furnizojnë trurin, mund të rrisin rrezikun për goditje në tru dhe demencë vaskulare.
Një studim i Harvard Medical School i vitit 2022 zbuloi se të rriturit mbipeshë ose obezë që konsumonin të njëjtat vakte rreth katër orë më vonë gjatë ditës ndiheshin më të uritur dhe digjnin më pak kalori.
Produktet “pa yndyrë” nuk janë gjithmonë zgjedhja më e mirë
Në supermarket, produktet me etiketën “fat-free” ose “pa yndyrë” mund të duken si zgjedhja më e shëndetshme, veçanërisht për ata që synojnë të humbin peshë.
Por sipas Dr. Guttmann, duhet parë më shumë se vetëm pjesa e përparme e paketimit.
“Kur yndyra hiqet, prodhuesit shpesh shtojnë sheqer, kripë ose substanca trashëse për të kompensuar humbjen e shijes dhe strukturës.”
Për këtë arsye, një produkt “pa yndyrë” mund të jetë në disa raste më pak i favorshëm për shëndetin kardiovaskular sesa versioni i zakonshëm, sidomos kur yndyra zëvendësohet me sheqer të rafinuar.
Shumë produkte të tilla mund të përmbajnë sheqer të shtuar dhe më shumë kripë, të cilat mund të kontribuojnë në shtim në peshë dhe rritje të rrezikut për sëmundje të zemrës.
Disa përmbajnë edhe stabilizues dhe trashës, të cilët përgjithësisht konsiderohen të sigurt, por në sasi të mëdha mund të shkaktojnë shqetësime tretëse te disa persona.
Kripa e fshehur mund t’ju mashtrojë
Nuk janë vetëm produktet “pa yndyrë” që duhen parë me kujdes.
Shumë ushqime që duken të shëndetshme mund të përmbajnë sasi të larta kripe.
“Koset me shije, supat, salcat dhe madje edhe buka mund të kenë shumë më tepër kripë nga sa mendojmë”, shpjegon kardiologu.
Problemi është se njerëzit zakonisht tregohen më të kujdesshëm me kripën kur hanë patatina ose ushqime të gatshme, por jo kur zgjedhin produkte të reklamuara si të shëndetshme.
Konsumimi i tepërt i kripës mund të kontribuojë në rritjen e tensionit arterial, një nga faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundjet e zemrës dhe goditjen në tru.
Një pjesë e madhe e kripës që konsumojmë nuk shtohet gjatë gatimit, por gjendet tashmë në ushqimet e përpunuara.
Një orar i rregullt gjumi është i rëndësishëm
Nuk ka rëndësi vetëm shmangia e ushqimit vonë në mbrëmje.
Edhe ora kur flini dhe zgjoheni mund të ndikojë në shëndetin e zemrës.
Një studim i vitit 2024, që analizoi të dhënat e më shumë se 72 mijë të rriturve, zbuloi se personat me orare të çrregullta gjumi kishin një rrezik 26 për qind më të lartë për infarkt ose goditje në tru krahasuar me ata që mbanin një rutinë të qëndrueshme.
Kjo u vu re edhe te personat që, në total, flinin mjaftueshëm.
“Modelet e çrregullta të gjumit prishin ritmin cirkadian të trupit, i cili luan rol të rëndësishëm në rregullimin e tensionit arterial dhe kortizolit, hormonit kryesor të stresit”, shpjegon Dr. Guttmann.
Fjetja në orare krejt të ndryshme nga një natë në tjetrën mund ta mbajë sistemin kardiovaskular në një gjendje të vazhdueshme paqëndrueshmërie.
Me kalimin e viteve, kjo mund të kontribuojë në hipertension.
Qëndrimi ulur për shumë kohë mund ta dëmtojë zemrën
Me rritjen e punës nga shtëpia dhe orëve të gjata para kompjuterit, shumë njerëz lëvizin më pak se më parë.
Ekspertët kanë paralajmëruar vazhdimisht se qëndrimi ulur për periudha të gjata mund ta rrisë rrezikun për probleme të zemrës, edhe te personat që ushtrojnë rregullisht.
“Së qëndruari ulur për shumë kohë e ngadalëson qarkullimin e gjakut, e ul ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe lidhet në mënyrë të pavarur me një rrezik më të lartë kardiovaskular”, thotë Dr. Guttmann.
Ai thekson se problemi nuk lidhet vetëm me kaloritë.
“Qëndrimi i zgjatur pa lëvizur ndikon në funksionimin e enëve të gjakut në një mënyrë që një stërvitje e vetme nuk e kompenson plotësisht.”
Lajmi i mirë është se edhe periudhat e shkurtra të lëvizjes mund të ndihmojnë.
Një studim i publikuar së fundmi në “British Journal of Sports Medicine” zbuloi se pushimet pesëminutëshe për ecje gjatë ditës së punës mund të sjellin përfitime për shëndetin.
Në moshën e mesme, ndryshimet e vogla në rutinën e përditshme – ngrënia më herët, leximi i etiketave ushqimore, reduktimi i kripës, ruajtja e një orari të rregullt gjumi dhe ndërprerja e qëndrimit të gjatë ulur – mund të luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e zemrës në afat të gjatë.
