ShowBizzz

Samir Mane paraqitet në SPAK, në fokus hetimet për…

Biznesmeni Samir Mane është paraqitur pasditen e së mërkurës në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku sipas raportimeve ka qëndruar rreth dy orë.

Ai ka mbërritur në SPAK rreth orës 18:00, ndërsa deri tani nuk është bërë publik një njoftim zyrtar që sqaron cilësinë procedurale në të cilën është paraqitur.

Prania e tij raportohet se lidhet me verifikimet që po kryhen për vilën nr. 188/1 në kompleksin “Green Coast” në Palasë, një prej pasurive të përfshira në hetimet e SPAK që lidhen me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Prokuroria pretendon se prona, megjithëse në dokumentacion lidhet me emrin e Igli Tares, zotërohej faktikisht nga Balluku. Ky version është kundërshtuar publikisht nga Genti Tare, vëllai i ish-futbollistit.

Sipas të dhënave të bëra publike nga dosja, më 26 tetor 2020 është lidhur një kontratë sipërmarrjeje në shumën 250 mijë euro. SPAK pretendon se kjo vlerë përfshinte ndërtimin e vilës deri në fazën e karabinasë, ndërsa veprimet e kryera për pronën janë pjesë e verifikimeve mbi pronësinë dhe financimin e saj.

Një tjetër pjesë e hetimit lidhet me punimet e kryera më pas në pronë. Sipas SPAK, investimet dyshohet se janë marrë përsipër nga Arbër Abazi, pronar i “Alko Impex General Construction”, kompani pjesë e bashkimit të operatorëve që fitoi Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës. Preventivët e përmendur në materialet hetimore e vendosin vlerën e këtyre punimeve nga rreth 288 mijë deri në 410 mijë euro.

Po të mërkurën, në SPAK janë paraqitur edhe Alban dhe Olsi Eftimi, drejtues të studios “Atelier 4”. Emri i studios shfaqet në materialet e administruara në dosje për shkak të projekteve dhe komunikimeve elektronike që lidhen me vilën. Në një prej emaileve të raportuara në media, Alban Eftimi i dërgonte Ballukut në adresën personale variante të projektit të pronës.

Nga ana tjetër, Genti Tare ka deklaruar publikisht se vila i përket Igli Tares dhe se ky i fundit kishte negociuar vetë për pronën, duke kundërshtuar pretendimin e SPAK se bëhet fjalë për një pasuri të fshehur të Ballukut.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar mënyrën e financimit dhe pronësinë faktike të pasurisë, si edhe nëse ka lidhje mes investimeve në vilë dhe procedurave të prokurimit që po heton Prokuroria e Posaçme. Pretendimet e ngritura në fazën e hetimit mbeten për t’u provuar në procesin gjyqësor.

Të Ngjashme