Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, ka mirëpritur dhe mbështetur veprimet e Policisë së Kosovës, përkatësisht të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, përfshirë aksionin e fundit në Zubin Potok.
Gara ka thënë se veprimet e institucioneve në funksion të hetimit dhe zbardhjes së krimeve të luftës kontribuojnë në vendosjen e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre.
“Mirëpresim dhe mbështesim çdo veprim të Policisë së Kosovës, përkatësisht të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, përfshirë aksionin e fundit në Zubin Potok, në shërbim të zbardhjes së krimeve dhe vendosjes së drejtësisë për viktimat e luftës dhe familjet e tyre”, ka deklaruar Gara.
Sipas tij, këto veprime kontribuojnë edhe në respektimin e të drejtës së familjeve për të ditur dhe të drejtës për të vërtetën, krahas të drejtës për drejtësi.
“Zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë dhe vënia para drejtësisë e përgjegjësve janë detyrime që kërkojnë angazhim të pandërprerë institucional”, ka theksuar ai.
Gara ka nënvizuar se familjet e personave të zhdukur kanë pritur për një kohë të gjatë dhe meritojnë që të kenë të vërtetën e plotë për fatin e më të dashurve të tyre.
“Familjet kanë pritur gjatë dhe meritojnë të vërtetën e plotë dhe drejtësinë. Siç e kanë thënë edhe vetë familjarët, drejtësia nuk e zhbën dhimbjen, por sjell ngushëllim për familjet dhe dëshmon se vuajtja e tyre nuk është harruar”, ka deklaruar Gara.
Gjatë aksionit të sotëm të Prokurorisë Speciale bashkë me Policinë, nëntë persona u arrestuan nën dyshimin për krime lufte. Ky aksion ndërlidhet edhe me “Grupin e Intelektualëve”.
