Dy shoferë të rinj janë ndëshkuar nga Policia e Kosovës pasi u kapën duke zhvilluar gara shpejtësie në rrugët e Ferizajt.
Sipas policisë, rasti ka ndodhur më 17 prill rreth orës 23:34 në rrugën “Brahim Ademi”, ku patrulla policore ka ndaluar dy vetura që po lëviznin me shpejtësi të lartë dhe po garonin mes vete.
Shoferët e identifikuar me inicialet A.Q. (23 vjeç), i cili drejtonte një veturë Volvo, dhe L.K. (19 vjeç), me një Mercedes, janë kapur në flagrancë gjatë zhvillimit të garave të paligjshme.
Për shkeljen e rregullave të trafikut, ndaj të dyve janë shqiptuar gjoba prej 500 eurosh, 5 pikë negative, si dhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit për 12 muaj.
Policia Rajonale në Ferizaj ka bërë thirrje për kujdes në trafik dhe ka paralajmëruar se kontrollet do të intensifikohen në të gjitha rrugët e rajonit, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve. /teve1.info/
