Lajme

Garda nuk lejoi demokratët, Meta: Dënoj me ashpërsi militarizimin e Kuvendit

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar ashpër pas trazirave të regjistruara paraditen e kësaj të hëne para ambienteve të Kryesisë së Kuvendit, ku deputetët demokratë u desh që të futeshin në salla përmes kangjllave dhe dritareve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta ka mbështetur vendosimërinë e qëndrimit të opozitës si dhe kërkesat e saj për garantimin e ngritjes të komisioneve hetimore në Kuvend.

Ish-kreu i shtetit ka dënuar mos lejimin në Kryesinë e Kuvendit të deputetëve demokratë, teksa ka theksuar se opozitarët përfaqësojnë zërin e mbi 700 mijë qytetarëve dhe se kjo krizë nuk zgjidhet me Gardën e Republikës, por me respektimin e Kushtetutës dhe Rregullores të Kuvendit.

“Dënoj me ashpërsi militarizimin e institucionit më të rëndësishëm të Republikës, Kuvendit të Shqipërisë.

Asgjësimi i të drejtave kushtetuese të opozitës është sulm ndaj pluralizmit politik dhe llogaridhënies para qytetarëve.

Partia e Lirisë mbështet vendosmërisht qëndrimin e opozitës e në veçanti:

📌 Garantimin e ngritjes të komisioneve hetimore në Kuvend;

📌 Të drejtën e opozitës për të zgjedhur përfaqësuesit e saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore;

📌 Garantimin e shqyrtimit të të gjitha projektligjeve që opozita ka depozituar në Kuvend dhe që bllokohen prej vitesh.

Deputetët e opozitës përfaqësojnë zërin e mbi 700 mijë qytetarëve të cilët kanë të drejtë të dëgjohen.

Kjo krizë e rëndë nuk zgjidhet me Gardën e Republikës por me respektimin e Kushtetutës dhe Rregullores të Kuvendit, si baza e funksionimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, shkruan Meta.