Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë për krime lufte kundër popullsisë civile lidhur me ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998 në lagjen Jashari, në Prekaz të Skenderajt.
Prokurori i rastit, Valdet Gashi, gjatë një konference për media tha se hetimi ka qenë kompleks dhe sfidues, por se puna intensive e Prokurorisë Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera, ka mundësuar ngritjen e aktakuzës.
Sipas tij, nga provat e mbledhura është krijuar dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile” gjatë aksionit në Prekaz të Poshtëm.
Gashi bëri të ditur se në aktakuzë janë identifikuar 35 të pandehur, të cilët, sipas hetimeve, kanë pasur pozita të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të Policisë Serbe.
“Si rezultat i hetimit, bazuar në provat materiale dhe personale, kemi arritur t’i identifikojmë 35 të pandehur në këtë rast”, tha Gashi.
Prokuroria pretendon se gjatë hetimeve janë identifikuar njësitë e forcave serbe që morën pjesë në aksion, pozicionet nga të cilat është kryer sulmi, aktivitetet e të pandehurve, armatimi i përdorur dhe dëmet e shkaktuara në njerëz dhe pasuri.
Sipas Gashit, gjatë sulmit janë vrarë 26 persona civilë, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar. Ai tha gjithashtu se gjatë aksionit disa banorë të lagjes Jashari janë marrë peng nga shtëpitë e tyre dhe janë maltretuar.
Aktakuza është ngritur në mungesë, pasi, sipas Prokurorisë Speciale, janë shterur mundësitë për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.
Gashi tha se, bazuar në informacionet që aktualisht posedon Prokuroria, të gjithë të pandehurit janë ende gjallë. Ai sqaroi se në rast se pas publikimit të emrave konstatohet se ndonjëri prej tyre ka vdekur, Prokuroria mund të tërhiqet nga akuza ndaj atij personi, në përputhje me ligjin.
Prokurori e cilësoi identifikimin e njësive përgjegjëse si një nga sfidat kryesore të hetimit, duke marrë parasysh kohën e gjatë që ka kaluar nga ngjarjet.
Ai bëri të ditur gjithashtu se në aksion ka qenë e përfshirë edhe Njësia për Operacione Speciale e Serbisë, e cila, sipas tij, udhëhiqej nga Milorad Ulemek, i njohur me nofkën “Legija”.
Sipas deklarimit të Gashit, Ulemek kishte pasur për detyrë të drejtonte sulmin e drejtpërdrejtë ndaj shtëpisë së familjes së Shaban Jasharit.
Detajet e plota mbi rolin e të pandehurve, njësitë pjesëmarrëse dhe rrethanat e ngjarjeve, sipas Prokurorisë Speciale, janë të përshkruara në aktakuzën e dorëzuar në gjykatë./teve1.info/
