Publicisti Shkëlzen Gashi ka reaguar pas polemikave lidhur me përmbajtjen e ekspozitës për masakrat e luftës, duke sqaruar formulimin e përdorur për viktimat e Masakrës së Dubravës.
Gashi ka theksuar se në ekspozitë është përdorur termi “figurojnë persona të armatosur”, dhe jo se ata kanë qenë realisht të armatosur, duke shtuar se kjo është keqinterpretuar në publik.
Sipas tij, të dhënat janë marrë nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ndërsa në ekspozitë është sqaruar se nga viktimat, 48 figurojnë si persona të armatosur.
Ai ka bërë të ditur se pikërisht kjo pjesë ka nxitur reagime, por ka insistuar se formulimi është bërë me kujdes dhe se në libër këto të dhëna janë shpjeguar më gjerësisht.
“Listën për të vrarit në Masakrën e Dubravës e kemi marrë prej Fondit për të Drejtën Humanitare. Në ekspozitë është thënë qartë që prej të vrarëve 48 figurojnë persona të armatosur, 58 civilë të paarmatosur dhe pjesa që 48 figurojnë persona të armatosur ka ngjallur reagim. Ne nuk kemi thënë askund që këta kanë qenë persona të armatosur, ne kemi thënë që figurojnë dhe në libër e kemi sqaruar më detajisht, sepse kemi pasur hapësirë për ta sqaruar”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Gashi ka folur edhe për përmbajtjen vizuale të ekspozitës, duke thënë se është shmangur publikimi i fotografive të rënda të viktimave për shkak të hapësirës publike ku ajo ishte vendosur.
“Në ekspozitë kemi pasur kujdes që të mos i nxjerrim fotografitë e tmerrshme, pasi që në shesh qasje mund të kenë edhe fëmijët, edhe pse ato që janë prezantuar kanë qenë të rënda si shkatërrimet dhe vuajtjet e njerëzve, por s’kemi nxjerrë fotografi të njerëzve si në libër që janë të masakruar”, tregoi Gashi.
Ai ka shtuar se pas reagimeve publike, organizatorët kanë tentuar të japin sqarime, derisa një reagim i veçantë ka ardhur edhe nga vetë i mbijetuari i masakrës, dhe deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, pas të cilit është dhënë një reagim zyrtar ku është shprehur keqardhje dhe janë sqaruar burimet e të dhënave.
Debati për pasaktësinë e të dhënave në ekspozitë ka çuar edhe në largimin e saj nga hapësira publike në Prishtinë, pas pezullimit të lejes nga autoritetet komunale. /teve1.info/
