Lajme

Gashi pret ambasadorin Schuebel, në fokus reformat dhe sundimi i ligjit

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, së bashku me anëtarin e KPK-së, Visar Krasniqi, ka pritur të mërkurën në takim Ambasadorin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, me të cilin ka diskutuar për reformat në sistemin prokurorial, sundimin e ligjit dhe sfidat e evidentuara në Raportin e Progresit të BE-së.

Gjatë takimit, Gashi e ka falënderuar Schuebel për mbështetjen e vazhdueshme të Zyrës së BE-së për sistemin prokurorial në Kosovë, veçanërisht për angazhimin në mbështetje të reformave dhe forcimit të sundimit të ligjit.

Kryesuesi i KPK-së e ka njoftuar ambasadorin Schuebel për punën dhe prioritetet e Këshillit, me fokus në rritjen e efikasitetit dhe rezultateve të punës së prokurorive, përmirësimin e performancës institucionale dhe forcimin e mekanizmave të llogaridhënies, në përputhje me kompetencat dhe mandatin ligjor të KPK-së.

Ndërkaq, Ambasadori Schuebel ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen për KPK-në, ndërsa e ka njoftuar Gashin edhe për një projekt të ri që prek fushën e drejtësisë.

Në takim është diskutuar edhe për sfidat dhe rekomandimet e evidentuara në Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën, si dhe për masat e ndërmarra nga KPK-ja për adresimin e tyre.

Një nga çështjet e veçanta të diskutimit ka qenë integrimi i komunitetit serb në sistemin prokurorial. Sipas KPK-së, në këtë drejtim ka pasur dakordim të përbashkët se procesi i integrimit duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Në këtë drejtim, KPK-ja ka theksuar se gjatë këtij viti ka ndërmarrë dhe përmbushur një varg angazhimesh të rëndësishme për konsolidimin dhe avancimin e sistemit prokurorial. Ndër to janë përmendur procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe avancimi i Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Informacionit dhe Lëndëve (SMIL), çështje të adresuara edhe në raportet e mëparshme të BE-së.

Gashi ka theksuar rëndësinë që rezultatet konkrete, reformat dhe masat e ndërmarra nga KPK-ja gjatë këtij viti të pasqyrohen në mënyrë të plotë dhe objektive në raportin e ardhshëm të Bashkimit Evropian për Kosovën.

Në përfundim të takimit, palët kanë ritheksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, me qëllim forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e besimit në institucionet e drejtësisë dhe mbështetjen e procesit të integrimit evropian të Kosovës.

Në fund të takimit, kryesuesi Arian Gashi i ka dhuruar Ambasadorit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, një dhuratë simbolike.

Të Ngjashme