Drejtori i administratës doganore shqiptare Genti Gazheli, ka zhvilluar një vizitë në Romë, ku u takua me drejtorin e Agjencisë Doganave dhe Monopoleve, Roberto Alesse dhe komandantin e përgjithshëm të Guardia di Finanza, Andrea De Gennaro.
Gazheli ka zhvilluar takim në Romë me drejtorët italianë me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë në fushën doganore.
Mediat italiane raportojnë se të mbështetura nga aktivitetet e nisura kohë më parë me marrëveshjet e ndihmës së ndërsjellë, shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit administrativ, të nënshkruara përkatësisht në vitet 1998, 2003 dhe 2022 dhe nga marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, të tre autoritetet doganore kanë vendosur të intensifikojnë më tej përpjekjet e përbashkëta për të garantuar ligjshmërinë dhe sigurinë në aktivitetet tregtare ndërkufitare.
Të tre administratat kanë vendosur gjithashtu të nisin shkëmbimin e eksperiencave dhe aktivitetet trajnuese midis porteve të Ankonës, Barit dhe Brindisit dhe porteve shqiptare të Durësit dhe Vlorës.
Policia Financiare, e cila ndodhet prej 25 vitesh në Shqipëri me një mision bashkëpunimi për të parandaluar trafikun e paligjshëm nga deti, do të forcojë nismat në sektorin e doganave nëpërmjet ekspertit të saj në detyrë në Ambasadën në Tiranë.
Këto sinergji janë plotësisht në kuadër të formave të bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë së Doganave dhe Monopoleve dhe Policisë Financiare, të rinovuara së fundmi me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit të firmosur në Prill 2023.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo