Lajme

“Gënjeshtar”, Berisha paralajmëron padi ndaj deputetit gjerman: Do shihemi në gjyq

Sali Berisha ka reaguar pas deklaratave të bëra ditën e sotme nga deputeti gjerman Gunther Krichbaum, i cili pohoi se me ish-kryeministrin nuk ka zhvilluar një takim gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, pasi ai është nën akuza të rënda nga SPAK. Gjatë fjalës së tij Berisha paralajmëroi një proces gjyqësor ndaj Krichbaum dhe se deklaratat e këtij të fundit janë mashtrime për interesat e tij personale.

“Unë deklaratën e tij të sotme, e garantoj ata, se do ti jap mundësi në sallën e gjyqit të justifikojë qëndrimin e tij amoral”, tha ish-kryeministri.

Berisha theksoi se deputeti gjerman nuk duhet të ndërhyjë në çështjet e brendshme të një partie dhe se lidhjet e tij me kreu ne PD-së, Lulzim Bashën nuk duhet ti përdorë për të mashtruar popullin shqiptar.

“Është një akt i padenjë. Ky është një mashtrim i një njeriu i paguar apo i papaguar, por që turpëron veten në radhë të parë. Ky mendon se Shqipëria është e vendosur diku jashtë globit dhe nuk funksionin as interneti dhe asgjë dhe udhëtari mund të lëshojë cdo trillim. Siguroj miqtë e mi në Bundestag, se ruaj respektin më të madhe, por  Gunther Krichbaum i ka për interesa të tij personale. Unë deklaratën e tij të sotme, e garantoj ata, se do ti jap mundësi në sallën e gjyqit të justifikojë qëndrimin e tij amoral.

E para nuk mund të ndërhyjë në çështjen e brendshme të një partie. E dyta, cilido që mund të ndikohet sadopak nga trillimi i deputetit. Kur ligji bazë i Gjermanisë ka një nen, nenin 46, i cili shkruan se asnjë liri, as arrestim dhe as kufizim nuk mund të ndodhë në autoritetet gjyqësore pa autorizimin e parlamentit. I them atij, merr po deshe, provoje iniciativën e Sali Berishës të vitit 2012. Kjo prokurori ka nisur hetimin për Berishën pa i kërkuar parlamentit asnjë leje.

Zoti Krichbaum që vjen dhe flet për ligjet naziste je një gënjeshtar. Nuk janë ligje naziste. Ato janë ligje bazë të Gjermanisë mbi të cilat vendi yt është një model në respektimin e të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor.

Zoti Gunther Krichbaum kam filluar konsultimet me ekspertë ligjore dhe do bëj cdo përpjekje për një proces ligjor të ndershëm kundër teje, jo kundër Bundestagut, kundër teje. Lidhjet me Bashën nuk duhet ti përdoresh për të mashtruar një popull të tërë”, tha Berisha ndër të tjera.

Kujtojmë se ditën e sotme nga Tirana deputeti i Unionit Kristian Demokrat të Gjermanisë, Gunther Krichbaum, i përcolli një mesazh të qartë ish-kryeministrit, Sali Berisha. Duke marrë shkas nga hetimet e nisura për ish-kryeministrin lidhur me aferën për kompleksin “Partizani”, deputeti gjerman theksoi se SPAK nuk duhet të sulmohet, por të mbrohet.

Më tej ai tregoi se nuk e ka takuar Sali Berishën pasi është nën akuza mjaft të rënda nga SPAK, gjithashtu është edhe non grata nga SHBA.