Lajme

Gërmimet në Kalludër, i biri i mjekut të zhdukur: Po e thyej heshtjen, e vërteta po del në dritë

Në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin-Potokut kanë nisur të martën gërmimet në një lokacion ku dyshohet për ekzistimin e një varreze masive. Sipas raportimit të KosovaPressit, dyshohet se 23 trupat u përkasin intelektualëve nga Mitrovica që nga forcat serbe, ishin zhdukur me forcë gjatë luftës.

Pas fillimit të gërmimeve Erblin A. Ademi, i biri i Adem Ademit njëri nga këta të zhdukur, vendosi të flasë pas 27 vjetësh për rastin e babait të tij.

“Sot është një ditë me ndjenja të përziera për mua dhe familjen tonë. Nga njëra anë ndjejmë dhimbje të madhe, sepse pas 27 vitesh po përballemi sërish me realitetin e hidhur se babai ynë, së bashku me 22 persona të tjerë, u vranë dhe u zhdukën gjatë luftës së fundit në Kosovë. Edhe pse me kalimin e viteve e kemi ditur se shpresat për ta gjetur gjallë ishin pothuajse të pamundura, njeriu gjithmonë mban në zemër një grimë shprese derisa të mësohet e vërteta”, shkroi Erblin Ademi.

Ai rikujtoi se babai i  tij kirurg, një mjek i njohur dhe shumë i respektuar, ia kushtoi jetën shpëtimit të njerëzve.

Vuri në dukje se përveç kontributit të jashtëzakonshëm në mjekësi, gjatë luftës ai ndihmoi në trajtimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke qëndruar pranë atyre që kishin më shumë nevojë.

“Gjatë gjithë kësaj kohe kemi jetuar me pritje, ankth dhe pyetje pa përgjigje. Kemi pritur që e vërteta të zbardhej dhe të mësonim se ku ishin fshehur trupat e tyre. Të jetosh për gati tri dekada pa e ditur ku prehet njeriu yt më i dashur është një dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë. Që nga paslufta kemi pasur informacione se ky grup ishte vrarë në atë zonë. Pas arrestimit të personave që dyshohen se kanë marrë pjesë në këtë krim dhe fillimit të gërmimeve, duket se më në fund po afrohemi drejt zbardhjes së vërtetës. Megjithatë, presim që të respektohen të gjitha procedurat institucionale dhe të mjekësisë ligjore, duke u bërë identifikimi zyrtar i mbetjeve mortore me profesionalizëm dhe dinjitet. Kjo ishte një masakër dhe një krim i rëndë. Përveç vrasjes së 23 njerëzve të pafajshëm, familjet e tyre kanë përjetuar gjatë gjithë këtyre viteve një dhunë të vazhdueshme psikologjike, duke jetuar pa përgjigje dhe pa një vend ku të vendosin një lule për më të dashurit e tyre”, shkroi Ademi.

Erblin A. Ademi tregon se sot ndiejnë një lloj lehtësimi, jo sepse dhimbja ka kaluar, por sepse më në fund mund t’i japim fund pasigurisë, duke theksuar se ta dish ku pushon njeriu yt dhe ta nderosh me dinjitet është një e drejtë themelore njerëzore që neve na është mohuar për gati tri dekada.

“Megjithatë, ky është vetëm fundi i një kapitulli. Pasiguria mund të marrë fund, por dhimbja mbetet përgjithmonë. Po aq e rëndësishme sa zbardhja e së vërtetës është edhe vendosja e drejtësisë. Ne jemi këmbëngulës që të gjithë autorët e këtij krimi, të gjithë ata që urdhëruan, morën pjesë, fshehën këtë masakër apo mbrojtën përgjegjësit, si dhe të gjithë kriminelët dhe gjakatarët e njerëzve të pafajshëm, të përballen me drejtësinë dhe të marrin dënimin e merituar. Vetëm atëherë mund të themi se është hedhur një hap i plotë drejt drejtësisë, sepse pa drejtësi nuk ka paqe të vërtetë. Shpresoj që kjo të jetë një shpresë edhe për familjet e tjera që ende kërkojnë më të dashurit e tyre, që edhe ato një ditë ta mësojnë të vërtetën dhe t’u japin nderimin që meritojnë. Babai im nuk do të kujtohet vetëm për mënyrën se si u nda nga jeta, por mbi të gjitha për mënyrën se si jetoi. Ai ishte një njeri që shpëtonte jetë, një mjek i përkushtuar dhe një baba i dashur. Kjo është trashëgimia që na ka lënë dhe arsyeja pse do ta kujtojmë gjithmonë me krenari”, shkroi Erblin A. Ademi.

Të Ngjashme