Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka reaguar pas vrasjes se një gruaje 25-vjeçare në Malishevë, ku deri tash i dyshuar është bashkëshorti i saj.
Gërvalla ka thënë se dhuna ndaj grave është krim dhe se nuk do të ketë tolerancë ndaj kësaj.
“Dhuna ndaj grave nuk është çështje private. Nuk është konflikt familjar. Nuk është “punë e shtëpisë”. Dhuna ndaj grave është krim dhe ndaj saj do të ketë zero tolerancë. Asnjë grua nuk duhet të humbë jetën në vendin që duhet të ishte më i sigurti për të, në shtëpinë e saj. Ky rast është një tjetër alarm i rëndë për të gjithë shoqërinë dhe për institucionet. Nuk mjafton të reagojmë pasi të humbet një jetë. Duhet të parandalojmë dhunën përpara se ajo të bëhet e pakthyeshme”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
Ajo ka kërkuar që rasti i 25-vjeçares të trajtohet me prioritet.
“Si Koordinatore Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, kërkoj nga të gjitha institucionet përgjegjëse që ta trajtojnë këtë rast me seriozitetin maksimal dhe të mos lënë asnjë rrethanë pa u hetuar. Një grua është vrarë. Përballë dhunës ndaj grave nuk mund të ketë heshtje, arsyetime apo indiferencë. Ka vetëm një përgjigje, drejtësi dhe vetëm drejtësi dhe zero tolerancë ndaj dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore.Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve. Me mendje e zemër jam me ta në këto momente të rënda dhe me të gjithë ata që po përballen me këtë humbje të madhe”, ka shkruar ajo.
Mbrëmë në Kërvasari të Malishevës një grua 25-vjeçare ka vdekur pas plagëve të marra nga arma e zjarrit.
I lënduar ka mbet edhe bashkëshorti i saj, i cili sipas Prokurorisë është i dyshuar për vrasjen.
