Lajme

Gërvalla: Kosova s’mund të sakrifikojë shtetin ligjor për hir të politikave ledhatuese të BE-së

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka thënë se vendimi për moskthimin në punë të gjyqtarëve serb dhe stafit që kishin dhënë dorëheqje, është i drejt dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës.

Në një reagim ndaj deklaratave të zyrtarëve të BE-së për këtë çështje, ajo ka thënë se Kosova nuk mund ta sakrifikojnë shtetin ligjor, për hir të hatër të politikave ledhatuese të BE-së.

“Republika e Kosovës nuk mund të sakrifikojë shtetin e saj ligjor për hir të politikave ledhatuese (appeasement) të BE-së, e në dëm të rendit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës. Në Republikën e Kosovës askush nuk është mbi ligjin. Bash askush! Asnjë individ. Asnjë institucion. Dhe asnjë presion politik, vendor apo ndërkombëtar”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Ajo ka thënë se vendimi është marrë nga një institucion i pavarur, duke thënë se askush nuk është mbi ligjin.

Gërvalla ka thënë se nuk mund të heshtë përballë siç është shprehu përpjekjeve për ta vënë në pikëpyetje zbatimin e ligjit të Republikës së Kosovës nga institucionet e saj të pavarura dhe për t’i imponuar atyre interpretime e preferenca politike të kujtdo qoftë.

“Më 27 gusht 2026, Këshilli Gjyqësor i Kosovës mori vendim për refuzimin e kërkesave për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë, të paraqitura në vitin 2022, dhe për t’i propozuar u.d. Presidentes së Republikës së Kosovës lirimin e tyre nga detyra.Ky është vendim i një institucioni të pavarur. Dhe është vendim që është marrë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës. Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, në nenin 26, përcakton shprehimisht detyrimin e Këshillit që, në rast të dorëheqjes së gjyqtarit ose prokurorit, t’ia dërgojë Presidentit propozimin për lirimin nga detyra. Këto dorëheqje janë dhënë në vitin 2022. Kanë kaluar pothuajse katër vjet. Gjyqtarët në fjalë nuk kanë ushtruar detyrat e tyre për afërsisht katër vjet”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka thënë se sfidon këdo që pretendon se vendimi për këtë çështje është në kundërshtim me ligjin e Republikës së Kosovës: na tregoni cili ligj është shkelur. Cili nen? Cila dispozitë?

Të Ngjashme