Konflikti për kalimin e një betoniereje pranë banesës dyshohet se ishte shkaku i ngjarjes së rëndë të ndodhur në rrugën “Petrela”, në Bathore, Kamëz, ku dy vëllezërit Selam dhe Nazmi Islamaj u vranë me armë zjarri, ndërsa vëllai i tyre, Shefqet Islamaj, mbeti i plagosur.
Gazetarja Flutura Tota, duke iu referuar burimeve nga Policia, ka siguruar për RTSH dëshminë e autorit të dyshuar të krimit, 40-vjeçarit Ngushëllim Manzi, i cili ka pretenduar se konflikti nisi për shkak të punimeve që po kryenin vëllezërit.
Sipas dëshmisë së tij, betonieret kalonin pranë banesës së familjes së tij dhe ai u kishte kërkuar që të përdornin një rrugë alternative, pasi automjetet e rënda duhej të kryenin manovra të shumta për të kaluar.
“Ne i kërkuam ta kalonin te një rrugë alternative, se duhet të bënte shumë manovra. Ata na i kthyen keq. Shefqet Islamaj kishte shtyrë dhe goditur prindërit e mi. Kur e mora vesh këtë, u nxeha dhe e godita. Pastaj erdhën dy vëllezërit e tij. Sherri degradoi dhe unë i qëllova me pistoletë”, mësohet të ketë deklaruar 40-vjeçari.
Ngjarja përfundoi me vrasjen e dy vëllezërve dhe plagosjen e të tretit. Autori Manzi, ushtarak pranë Policisë Ushtarake u arrestua menjëherë pas ngjarjes dhe ndodhet pas hekurave. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të krimit të trefishtë.
