Lajme

Gërvalla merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, do të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, që do të mbahet më 2 dhe 3 shtator.

Kështu ka bërë të ditur MPJD-ja, e cila ka njoftuar se Gërvalla do të paraqesë përkushtimin e Kosovës për të luajtur një rol aktiv dhe konstruktiv në avancimin e strategjive rajonale dhe globale për paqe, siguri e stabilitet.

“Ministrja Gërvalla gjatë paneleve dhe takimeve do të theksojë përparimin që Kosova ka arritur në përmbushjen e kushteve në procesin e integrimeve euroatlantike, reformat e thella në sundimin e ligjit, avancimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik. Ministrja Gërvalla do të nënvizojë gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit multilateral për të adresuar dhe tejkaluar sfidat globale, duke pozicionuar Kosovën si një partner të besueshëm të shteteve demokratike dhe të përkushtuar në skenën ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas kësaj ministrie, Gërvalla do të zhvillojë edhe takime me homologë të vendeve pjesëmarrëse.

Forumi i Bledit organizohet çdo vit nga shteti slloven dhe ka për qëllim promovimin e bashkëpunimit mes liderëve të vendeve.