Lajme

Gërvalla pas vrasjes së dyfishtë në Gjilan: Nuk guxojmë të presim që gratë të vriten për të reaguar

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka reaguar pas vrasjes së një gruaje dhe vëllait të saj në Livoç të Ulët të Gjilanit, duke shprehur dhimbje dhe indinjatë për tragjedinë. Ajo ka bërë thirrje për veprim dhe parandalim të rasteve të tilla.

Përmes një reagimi, Gërvalla e ka cilësuar ditën e djeshme si të kobshme, duke theksuar se kjo tragjedi ka goditur rëndë një familje dhe ka rikthyer në vëmendje problemin e vrasjes së grave.

“Nuk guxojmë të presim që gratë të vriten për të reaguar. Detyrimi ynë është të veprojmë, të parandalojmë dhe të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë që tragjedi të tilla të mos përsëriten kurrë”, ka deklaruar Gërvalla.

Ministrja e Drejtësisë ka theksuar se vrasja e grave është një krim i rëndë, të cilin shoqëria nuk duhet ta trajtojë si një dukuri të pashmangshme.

“Vrasja e grave është krim, aq i rëndë dhe i tmerrshëm sa asnjë shoqëri nuk mund ta trajtojë si të pashmangshëm atë që ka detyrim ta parandalojë”, thuhet në reagimin e saj.

Në fund, Gërvalla u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave./teve1.info/

Të Ngjashme