Lajme

Gjendet pas 21 ditësh në Tiranë i moshuari nga Ferizaj

TIRANË – Pas 21 ditësh kërkimesh, është gjetur në Tiranë 80-vjeçari Hamëz Ismaili nga Ferizaj, i cili ishte raportuar i zhdukur që prej 17 gushtit.

Lajmin e ka bërë të ditur Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim, e cila njoftoi se 80-vjeçari është gjetur pas kërkimeve intensive dhe bashkëpunimit me institucionet e sigurisë në Kosovë dhe Shqipëri.

“Pas kërkimeve intensive së bashku me Policinë e Kosovës dhe angazhimit të ekipeve, është bërë e mundur gjetja e Hamëz Ismailit, 80 vjeç, nga Ferizaj, i cili ishte raportuar i humbur që nga data 17 gusht”, thuhet në njoftimin e organizatës.

Sipas të njëjtit njoftim, Ismaili është gjetur në Tiranë dhe aktualisht ndodhet në spital, ku po merr trajtim mjekësor.

Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim ka shprehur shpresën për përmirësimin e gjendjes së tij dhe rikthimin sa më të shpejtë pranë familjes.

Në përfundim, organizata ka falënderuar Policinë e Kosovës, Policinë e Shqipërisë, si dhe qytetarët, institucionet dhe të gjithë personat që kontribuuan në kërkimet për gjetjen e 80-vjeçarit.

Të Ngjashme