Lajme

Gjenerali që shpëtoi fëmijët shqiptarë nga Siria, negociator në lirimin e izraelitëve

Ish-drejtori i Sigurisë Kombëtare të Libanit, Gjenerali Abbas Ibrahim, është përfshirë në procesin e negocimit për lirimin e pengjeve izraelite të marra nga Hamasi.  Ibrahimi nuk është një emër i panjohur për shqiptarët, pasi ka qenë forca shtytëse dhe negociuese me autoritetet siriane në dy operacione humanitare të Shqipërisë për të nxjerrë nga kampi Al Hol në Siri, disa gra dhe fëmijëve shqiptarë.

“Top Channel” ka kontaktuar me një zëdhënës të Gjeneralit Abbas Ibrahim i cili ka konfirmuar se ai ndodhet jashtë vendit për negociata.

 “Gjenerali Ibrahim ndodhet për momentin jashtë vendit për negociata. Subjektet për tu kthyer nuk janë vendosur ende”, ka thënë ai për Top Channel.

Kujtojmë se Gjenerali Abas Ibrahim në tetor të 2021 u nderua nga kryeministri Edi Rama me  “Yllin e Madh të Medaljes për Mirënjohje Publike”. Asoj kohe kryeministri Rama e quajti Gjeneralin Abbas Ibrahim si një mik të Shqipërisë në ditë të vështira.

Rama falënderoi me gjithë zemër gjeneralin për kurajën që na ka dhënë në marrjen e zotimit për të shpëtuar gjithë ata fëmijë dhe sigurinë që na ka dhënë se mund ta mbajmë zotimin.

“Ai ka krijuar kushte optimale për sigurinë fizike të personelit shqiptar, qoftë në Liban, qoftë në penetrimet brenda Sirisë, po ashtu në ofrimin e burimeve logjistike për të asistuar operacionin dhe kapacitetin e tij ngarkues me aktorë të tjerë politikë, me të cilët nuk kemi asnjë komunikim”, tha Rama asoj kohe.