Lajme

Gjermania ashpërson dëbimin ndaj emigrantëve, ja çfarë parashikohet

Ligji i ri i vendosur në Gjermani në lidhje me dëbimet e emigrantëve sipas Minsitres së Brendshme gjermane, Nancy Faeser është hap i nevojshëm për të ruajtur pranueshmërinë në shoqëri të çështjes së refugjatëve.

Pas Bundestagut edhe Këshilli Federal dha dritën e gjelbër që ligji të hyjë në fuqi. Sipas masave të reja ligjore azilkërkuesit e refuzuar mund të mbahen të ndaluar më gjatë para dëbimit, dhe policia ka më shumë të drejta për të kontrolluar banesat.

Në fund të dhjetorit sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme gjermane 242.642 vetë pa të drejtë qëndrimi duhet të largoheshin nga Gjermania. Por mes tyre 193.972 vetë kanë lejen Duldung, pra një leje të përkohshme qëndrimi për arsye të caktuara që e shtyjnë dëbimin. Me këtë pezullohet dëbimi në katër nga pesë raste. Arsyet: gjendja e sigurisë në vendin origjinë, mungesa e dokumenteve dhe pasaportës së udhëtimit, sëmundjet, fëmijët me leje qëndrimi, që kanë filluar një shkollim profesional.

Në gjysmën e parë të vitit 2022 janë dëbuar nga Gjermania 7861 vetë. Një shifër 27% më e lartë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjithsej ka pasur 12.945 dëbime. 8% më shumë se një vit më parë.

Ndërsa sa i përket policisë, do të ketë mundësi më të mëdha kontrolli. Kjo vlen si për kërkimin e dokumenteve dhe përcaktimin e identitetit të personit për gjetur vendin origjinë. Nga ana tjetër nëpunësit në qendrat e azilkërkuesve mund të kontrollojnë edhe dhoma të tjera, jo vetëm ato të personit që ka detyrimin e largimit nga Gjermania. Edhe marrja nga policia në orare nate do të jetë e mundur, nëse një fluturim dëbimi nga një shtet tjetër organizohet në orët e para të mëngjesit. Po ashtu koha e mbajtjes nga policia do të zgjerohet nga 10 në 28 ditë. Kjo u jep autoriteteve më shumë kohë të përgatisin dëbimin, dhe pengon kalimin në ilegalitet të personit që duhet dëbuar.

Ministria e Brendshme nuk pret një rritje të ndjeshme të dëbimeve.

Përmes ashpërsimit të detyrimit për largim nga vendi numri i dëbimeve mund të rritet deri në 600, (rreth 5%) thuhet në projektligjin e ministrisë.

Edhe qeveria gjermane e di, se ashpërsimi i dëbimeve është vetëm njëra anë e medaljes. Sepse pa pranimin e personave të dëbuar nga vendet origjinë, dëbimet nuk janë të mundura.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo