Këngëtari i njohur Gjesti ka ndarë një mesazh me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, ku ka bërë të ditur synimin për të organizuar një takim të drejtpërdrejtë me mbështetësit e vet.
Përmes një shkrimi në grupin e tij të komunikimit në Instagram, ai ka shprehur dëshirën për të krijuar një kujtim me të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe.
Në mesazhin e tij drejtuar ndjekësve, ai ka deklaruar: “Unë nuk ju kom pa live kurrë edhe ka ardhë koha m’ju pa krejtve. Jom ka du me pas ni kujtim me juve krejtve”.
Gjesti ka njoftuar se detajet rreth vendit dhe orës së këtij takimi pritet t’i bëjë publike përgjatë javës së ardhshme, me shpresën se do të marrin pjesë sa më shumë njerëz.
Përveç organizimit të takimit, artisti ka lënë të kuptohet se po përgatitet për një etapë të re në karrierën e tij. Lidhur me këtë zhvillim, ai është shprehur: “Osht ni rrugtim i ri jemi edhe po du me fillu me juve, me pas gjithmonë ni kujtim me njerëz që m’kan dasht edhe m’dojnë”, duke falënderuar publikun për mbështetjen e dhënë.
Në këtë kuadër, ai u ka sugjeruar ndjekësve më të rinj që të bisedojnë me prindërit e tyre për të marrë pjesë në këtë ngjarje të planifikuar, ku synon të realizojë edhe një video me ta. Në përmbyllje të komunikimit, këngëtari ka shtuar: “Po du m’ju pa gjithqysh se pa ju s’ka kuptim”.

