Lajme

Dogana parandalon kontrabandimin e mbi 8 kg argjend të padeklaruar

Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandimit të metaleve të çmuara në pikën e kalimit kufitar Merdare, ku gjatë kontrollit të një automjeti janë zbuluar dhe sekuestruar përkohësisht rreth 8.274 kilogramë argjend i pastër investues, me pastërti 99.9%.

Sipas Doganës, rasti është zbuluar sot, pas dyshimeve të ngritura nga zyrtarët doganorë gjatë kontrollit fillestar të një furgoni me targa të huaja, i cili ishte në tranzit përmes territorit të Republikës së Kosovës, nga Belgjika drejt një vendi fqinj.

“Pas vlerësimit të dyshimeve fillestare, automjeti është përzgjedhur nga Njësia e Skanerëve për kontroll përmes pajisjeve të skanimit. Gjatë analizimit të imazheve të skanimit, zyrtarët doganorë kanë identifikuar parregullsi të mundshme në ngarkesën e automjetit, çka ka çuar në kontrollin e detajuar në vijën e dytë. Kontrolli është realizuar nga zyrtarët doganorë të angazhuar në këtë operacion, në bashkëpunim me zyrtarët përkatës dhe nën asistimin e Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit është zbuluar një sasi e konsiderueshme e argjendit të padeklaruar, e fshehur në pjesën e sipërme të një lavatriçeje të përdorur. Malli ishte kamufluar në atë mënyrë që mund të identifikohej vetëm pas çmontimit të pajisjes.

Sasia e zbuluar përbëhej nga:

* 6 monedha investuese argjendi, të prodhuara nga Australian Perth Mint (Kookaburra, Koala dhe Lunar Series), me peshë nga 1 kilogram secila, gjithsej 6 kilogramë;

* 1 lingotë argjendi, e markës Umicore, me peshë 1 kilogram (1,000 gramë);

* 2 tuba plastikë, me nga 20 monedha argjendi secili, me peshë nga 1 ons (31.1 gramë) për monedhë.

Pesha e përgjithshme e argjendit të zbuluar është rreth 8.274 kilogramë, ndërsa vlera e tij e përafërt në treg vlerësohet nga 8,000 deri në 10,000 euro.

“Dogana e Kosovës shpreh mirënjohje të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadën Amerikane në Kosovë për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e kapaciteteve teknologjike dhe operative të institucionit. Në veçanti, pajisja me teknologji moderne të skanimit, e mundësuar përmes këtij bashkëpunimi, ka kontribuar drejtpërdrejt në identifikimin e këtij rasti, si dhe në zbulimin e rasteve të tjera të parregullsive dhe tentativave për kontrabandë” thuhet tutje në njoftimin e Doganës.

Malli është sekuestruar përkohësisht, ndërsa rasti është proceduar për hetime të mëtejshme dhe për zhvillimin e procedurave përkatëse kundërvajtëse doganore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Të Ngjashme