Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, në paraqitjen e tij në emisionin “Five”, ka folur për mbështetjen e ligjit lidhur me kundërshtimin e vendimit të Dhomave të Specializuara, rolin e Aleancës në Kuvend dhe qëndrimet politike të partisë.
Gjini ka thënë se Aleanca e ka mbështetur ligjin, duke theksuar se qëndrimi i saj për vendimin e Hagës ka qenë i qartë që nga fillimi.
“E dimë që mund të ketë sfida ligjore, por ne insistojmë që Kosova të punojë në të gjitha sferat e mundshme. Një sinjal i mirë është dhënë me votimin e ligjit, që Kosova nuk pajtohet me vendimin e Dhomave të Specializuara. Aleanca qëndron fuqishëm se lufta jonë ka qenë luftë e drejtë”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka theksuar se Aleanca po përgatitet për etapën e ardhshme politike dhe se në Kuvend do të ushtrojë rolin e një opozite serioze.
Duke folur për raportin ndërmjet pushtetit dhe mediave, Gjini ka thënë se një qeveri që ka rezultate në punën e saj nuk duhet të ndihet e kërcënuar nga kritikat mediatike, por duhet të përballet me to përmes argumenteve.
“Një qeveri që ka suksese në punë, edhe nëse sulmohet prej mediave, ndihet komode. E ka argumentin përpara dhe del me argumente përpara tyre. Por, nëse është e kundërta, provon t’ua mbyllë gojën”, ka thënë ai.
Kreu i Aleancës është shprehur i bindur se Kosova do ta kalojë periudhën aktuale politike.
Sa i përket orientimit politik dhe prioriteteve të Aleancës, Gjini ka rikujtuar se politikat e partisë janë të përmbledhura në ofertën gjashtëpikëshe, ndërsa ka bërë të ditur se Aleanca do ta shpalosë së shpejti strategjinë e saj për etapën e ardhshme.
Ai ka theksuar se kjo strategji do të ndiqet në mënyrë konsistente.
