Lajme

Gjini: Do të kisha bashkëqeverisur edhe me Kurtin, nëse…

Aleanca mbajti tubimin e radhës zgjedhor në Podujevë në kuadër të zgjedhjeve të 7 qershorit, ku morën pjesë figura të rëndësishme të kësaj partie.

Kandidati për kryeministër nga kjo parti Ardian Gjini theksoi se në Kosovë po qeverisin njerëz që duan ta hapin “gropën për vendin”.

Gjini: Në Kosovë janë ardhur disa njerëz që dojnë me hap gropën për vendin tonë

“Nëse në një vend të vogël si i joni, dikush ngreh majtas, dikush ngreh djathtas, sikush prapa e dikush para kemi me u vendnumëru, do të sillemi në vend. Edhe ne e dimë që kur sjellesh në vend nuk mbetesh aty po bile shkon në gropë. E në Kosovë janë ardhur disa njerëz që donë me hap gropën për vendin tonë, janë duke e hapur gropën në emër të patriotizmit, në emër të punëve më fisnike të mundshme”, tha Gjini.

Ndërsa, Ramush Haradinaj kryetar nderi i Aleancës, tha se do të ishte i gatshëm me qeverisur edhe me Kurtin po të ishte në drejtimin e duhur.

“Më besoni se do të kisha bashkëqeverisur edhe me Kurtin nëse do të në drejtimin e ka në rregull”

“Ju e dini kam qeverisur një herë me presidentin Rugova, pastaj me presidentin Thaçi, më besoni se do të kisha bashkëqeverisur edhe me Kurtin nëse do të bindesha se drejtimin e ka në rregull por nuk e kam marr këtë vendim. Kam dëshirë që Aleanca me qeverisë me vend, me kry edhe një punë, unë e di që janë 100 punë në Kosovë por të paktën vetëm një…Aq e rëndësishme që ka qenë Ushtria, aq është edhe ndërtimi i termocentralit që prodhon energji…Dy kontrata ja kam lanë Kurtit në tavolinë, një kontratë për një termocentral me qymyr, 450 megavat….si u ardh Kurti e ka anulua, ka qu e-mail Rozeta ka thënë nuk e vazhdojmë këtë projekt”, u shpreh Haradinaj.

Besnik Tahiri, kandidati për deputet është shprehur se Kosova është në udhëkryqin më të madh historik.

Tahiri: Kosova është në udhëkryqin më të madh historik, zgjedhjet e 7 qershorit janë zgjedhje vendimtare

“Kosova është në udhëkryqin më të madh historik, këto zgjedhje të 7 qershorit janë zgjedhje vendimtare për me qu një porosi në mbrojtje të lirisë, të shtetit dhe të amanetit që e kemi. Është Ardian Gjini, i cili si një ndër kandidatët për kryeministër, si një ndër udhëheqësit dhe liderëve të dëshmuar të 35 viteve të kaluara, i del Kosovës në ballë. Jo me fjalë, me veprat që i ka lënë në cdo etapë të karrierës së tij politike, duke filluar nga anagazhimi i menjëhershëm politik në vitet e 90-ta, duke ardhur nga një familje atdhetare, duke qenë krah i Ushtisë Clirimtare të Kosovës dhe duke qenë pjesë e secilës betejë për shtetndërtimin e këtij vendi që ne e gëzojmë sot. E kemi një liderë të urtë, të matur, serioz por shumë të vendosur”, tha Tahiri.

Kryetari i degës së Aleancës në Podujevë dhe kandidati për deputet, Arbnor Fazliu tha se Podujeva është një ndër trevat që ka dhënë më së shumti për lirinë e Kosovës, andaj sipas tij, kanë obligim që duke kujtuar të kaluarën ta krijojnë edhe të ardhmën. Sipas tij, kjo është e mundur me kandidatin e tyre për kryeministër, Ardian Gjini.

Fazliu: Kosovës i duhet Aleanca për siguri dhe energji

“Ne bësojmë tek kandidati ynë sepse siguria dhe anëtarësimi në NATO është prioriteti ynë. Për këtë është dëshmi e gjallë veprat e njeriut të historisë, zotëri Ramush Haradinaj, i cili si në luftë ashtu edhe në paqe krijoj Ushtrinë e Kosovës. Andaj më shumë se kurrë, Kosovës i duhet Aleanca për siguri dhe energji. Sot Ardian Gjini dhe lista jonë me numër 128 kanë një plan të qartë për të kthyer këtë pasuri në mirëqënie për qytetarë”, tha Fazliu.

Zgjedhjet e parakohshme mbahen më 7 qershor. 

Të Ngjashme