Lajme

Gjini kritikon Qeverinë Kurti për rezultatet e dobëta në PISA

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar qeverisjen aktuale për rezultatet e dobëta të Kosovës në testin ndërkombëtar PISA, duke akuzuar Qeverinë se nuk është marrë mjaftueshëm me reformimin e sistemit arsimor.

Sipas Gjinit, reformat në arsim kërkojnë kohë dhe nuk mund të realizohen brenda një mandati qeverisës.

Për këtë arsye, ai ka propozuar krijimin e një Këshilli Nacional për Arsim, ku do të përfshiheshin përfaqësues politikë dhe ekspertë të fushës.

“Nuk ekziston as tendencë me bërë diçka. Nuk e shohim, që 6 vite jo, edhe tash nuk e shohim. Edhe tash kanë me na i kamufluar diçka, kanë me i thënë diçka, me i pështjelluar diçka. Çfarë duhet me bërë Kosova për me dalë prej kësaj situate? Po ju tregoj një copë të projektit të Aleancës për këtë temë. Ne duhet me pasur një Këshill Nacional për Arsim. Nuk mundet me ardhur një qeveri në pushtet edhe me pretenduar që ka me e rregulluar, se nuk ka me mund me e rregulluar. Pse jo? Për shkak se efektet e reformave në arsim marrin shumë kohë. Kanë me marrë vite. Nuk mundet me u mat me një mandat qeverisës. Kjo është arsyeja pse duhet me pasur një ekip shumë të gjerë, të përfaqësuesve politikë fillimisht, por edhe të ekspertëve më të mirë të arsimit që i kemi”, ka deklaruar Gjini.

Gjini ka thënë se Kosova duhet të ndërtojë një platformë politike, teknike dhe profesionale për reformimin e arsimit, e cila do të mund të zbatohej pavarësisht ndryshimeve në pushtet.

Të Ngjashme