Lajme

Gjini: Kthimi i Ligjit për Specialen nuk i solli Kosovës përfitime taktike, strategjike apo ligjore

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka deklaruar se partia e tij ka qenë kundër kthimit të Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend për rishqyrtim, duke vlerësuar se një veprim i tillë nuk i ka sjellë Kosovës asnjë përfitim taktik, strategjik apo ligjor.

Gjini ka kërkuar që vëmendja publike të mos përqendrohet vetëm te kjo çështje, por edhe te problemet e tjera që rëndojnë jetën e qytetarëve dhe funksionimin e shtetit.

Gjini: Kosova nuk ka përfituar nga kthimi i Ligjit për Specialen

“E di që është interes i publikut ligji, aleanca ka qenë kundër kthimit të ligjit në Kuvend. Nuk mendojmë që Kosova ka fituar diçka as taktikisht, as strategjikisht, as legalisht. Vendime të tjera do t’i bëjmë me dije. Mirëpo, po ju lutem, nuk guxojmë me i harru gjitha temat që e rëndojnë për çdo ditë jetën e qytetarit dhe që janë duke e degraduar komplet shtetin e Kosovës. Duke e dëmtuar deri në palcë shtetin tonë, veç me një ndjenjë që dikush e ka marrë një temë tjetër dhe po e harron temat esenciale. Është temë tepër me rëndësi ligji, për Kosovën, për të ardhmen e Kosovës, por unë po besoj që vendi jonë nuk guxon me e heq fokusin edhe prej temave të tjera. Përderisa të gjithë ne merremi veç me një temë, e për të cilën ata një farë forme ka 7-8 vjet që i kanë çuar duart, as nuk janë marrë me to. Po ndihen shumë komod përderisa e kanë mbuluar komplet sistemin korruptiv, kleptokratik në Kosovë, me një temë tjetër. Duhen me u marrë edhe me tema të tjera. Edhe me tema të tjera. Nuk guxojmë me harru çka do të ndodhë në Kosovë, për shkak se edhe këto janë të lidhura me veten. Nuk mundemi ne me pas as diplomaci qysh duhet, nëse shpenzojmë 260 milionë euro në vjet për me ble energji elektrike. E një ambasadë e jona në Uashington nuk ka mjetet e mjaftueshme, as me ia pagu një kafe dikujt”, tha Gjini.

Tutje, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se ka dështuar qëllimisht tenderin për riparimin e bojlerit të Bllokut B2 në termocentralin “Kosova B”.

Gjini ka pretenduar se procedura e prokurimit është mbyllur pa fitues, ndërsa riparimi i planifikuar nuk është realizuar.

Sipas tij, kjo situatë mund të shkaktojë ndërprerje të reja të prodhimit të energjisë elektrike, pasi blloku mund të duhet të nxirret nga sistemi për riparim.

“E dini që Kurti ka dalë në Kuvend të Kosovës para nja 3 viteve, edhe ju ka mbajtur ligjëratë deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës për bojlerat edhe për filterat. E tash po ju tregoj diçka. Këta e kanë dështu me qëllim tenderin e riparimit të bojlerave, bojlerit. I cili ka pas me u riparu deri në fund të këtij viti, e kanë hapur tenderin, e kanë mbyllur tenderin pa fitues, për me i zbulu çmimet e ofertave që është aferë korruptive brutale, kanë marrë ankesa edhe ai bojleri i Kurtit është i pariparuar”, ka deklaruar Gjini.

Ai ka paralajmëruar se AAK-ja do të kërkojë interpelancë parlamentare për këtë çështje.

Gjini tregon se për cilën çështje AAK do të kërkojë interpelancë nga qeveria

“Tash çfarë ndodh? Prapë duhet ose në dhjetor ose në janar ose në shkurt prapë duhet me e nxjerrë prej sistemit bllokun më të madh që e kemi, në prodhim, për me e riparu atë bojlerin për të cilin ka folur personi i cili e udhëheq mashtrimin më të madh në histori të Kosovës. Aleanca do të kërkoj interpelancë nga Qeveria e Kosovës për këtë çështje”, tha ai.

Në të njëjtën konferencë, Gjini ka reaguar edhe për rastin e një pacienteje me kancer, e cila, sipas raportimeve në media, ka vdekur pas mungesës së terapisë.

Ai ka thënë se përgjegjësia për mungesën e barnave në institucionet publike shëndetësore i takon Qeverisë së Kosovës.

Gjini: Për mungesën e barnave përgjegjëse është Qeveria

“Nëse nuk ka barna në klinikat tona, përgjegjësi është vetëm Qeveria e Kosovës. Edhe po e ndjekim zinxhirin: në këtë zinxhir, mundet me qenë një shef i repartit, mundet me qenë një prej drejtorëve, që udhëheq atë sistem, mundet me qenë një sekretar i permanent, mundet me qenë një ministri, mundet me qenë kryeministri, mundet me qenë zyra e prokurimit, çka të doni. Ama këto institucione janë piramidë, mbërrijnë deri te kreu i qeverisë”, ka deklaruar Gjini.

Kreu i AAK-së ka kërkuar gjithashtu sqarime për mënyrën e shpenzimit të mjeteve buxhetore për shëndetësi.

“Ku po shkojnë gjithë ato mjete që është rrit buxheti për shëndetësi, ku po shkojnë, kush po i vjedh?”, ka pyetur ai.

Të Ngjashme