Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se gjatë pesë viteve të fundit janë rekrutuar 3.220 ushtarë të rinj në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Në një postim në Facebook, Maqedonci ka deklaruar se rekrutimet kanë ndikuar në rritjen e kapaciteteve njerëzore të FSK-së, duke theksuar se numri i pjesëtarëve të saj është më shumë se dyfishuar.
Ai ka thënë se investimet në ushtri do të vazhdojnë, me synimin për të rritur kapacitetet mbrojtëse dhe për të avancuar profesionalizimin e pjesëtarëve të saj.
“Vazhdojmë të investojmë në zhvillimin dhe profesionalizimin e ushtrisë sonë, me synimin për të ndërtuar një forcë gjithnjë e më të fuqishme, moderne dhe të gatshme për mbrojtjen e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Maqedonci./teve1.info/
