Gjykata më e lartë e Britanisë ka rrëzuar planin e qeverisë britanike për të dërguar azilkërkuesit në Ruanda.
Vendimi u mor këtë të mërkurë, duke i dhënë një goditje të madhe qeverisë konservatore, e cila e ka konsideruar prej kohësh planin si thelbësor në premtimin e saj për të ndaluar mbërritjet me varka të vogla në vend.
Robert Reed, një nga pesë gjyqtarët që dëgjuan çështjen, tha se gjykata mbështeti vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Apelit që e shpallte politikën të paligjshme. Gjykatësi Reed tha se refugjatët të kthehen në vendet e tyre të origjinës dhe jo në Ruanda, pasi ndryshe shkelet ligji ndërkombëtar.
Vendimi është pengesa më e fundit për kryeministrin Rishi Sunak pas disa ditësh të trazuara në të cilat ai shkarkoi Sekretaren e tij të Brendshme, Suella Braverman, detyra e së cilës përfshinte mbikëqyrjen e imigracionit.
Politika e linjës së ashpër të Ruandës u njoftua për herë të parë në prill 2022 nga kryeministri i atëhershëm Boris Johnson. Ai u përpoq të përmbushte një premtim të fushatës së Brexit për të “marrë kontrollin” e kufijve të vendit. Ndërsa Sunak premtoi të ndiqte politikën në fushatën e tij për udhëheqjen e Partisë Konservatore dhe e mbrojti iniciativën së bashku me Braverman. Por kjo nismë u kritikua gjerësisht nga grupet e të drejtave dhe politikanët e opozitës që në fillim, pasi cënonte të drejtat e njeriut.
Nga kjo politikë do të prekeshin më shumë emigrantët e botës së tretë, por edhe shqiptarët. Pasi çështja u bë mediatike, qeveria shqiptare dhe britanike nënshkruan një marrëveshje për rikthimin e emigantëve shqiptarë që u refuzohej azili në Mbretërinë e Bashkuar.