Lajme

Gjylameti ironizon Salianjin: Nuk i ndez fitili

Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, ka komentuar ngjarjet e ndodhura së fundmi në Kuvend, ku deputetët e opozitës nuk kanë lejuar zhvillimin normalisht të punimeve.

E ftuar në emisionin “Now” në “Euronews”, Gjylamet ka ironizuar këtë aksion opozitar si dhe veprimet e deputetëve në sallën e Kuvendit ditën e djeshme, konkretisht ndezjen e tymueseve nga deputeti demokrat Ervin Salianji.  Deputetja tha se atij iu deshën 3 flakadanë që të ndizte tymuesen se i ishte “lagur fitili”, njëjtë siç është laguar sipas saj edhe opozita.

 “Kishte nja tre flakadanë të skaduar, se i ishte lagur fitili, siç i është lagur opozitës. Kjo që ndodh me opozitën sot është fatkeqësi”, tha ajo, duke lënë kështu të kuptohet se opozitarët në Kuvend, nuk kanë më çfarë të japin dhe kanë dështuar në misionin e tyre.

“I është lagur fitili” apo “Nuk i ndez fitili”, përdoret shpesh nga populli. Në zhargonin e përditshëm kjo shprehje përdoret kur personi të cilit i referohen pavarësisht gjërave që arrin të bëjë, përpjekjeve, nuk arrin të prodhojë asnjë rezultat.

Ditën e djeshme  ashtu si dhe deputetët e opozitës kishin paralajmëruar më herët, nuk lejuan zhvillimin normal të seancës plenarë. Ata ndezën flakadanët, gjithashtu nuk munguan as përplasjet fizike mes deputetit socialist Xhemal Qefalia dhe deputetëve të PD Xhelal Mziu dhe Edmond Spaho. Zhurma nuk u ndal asnjë sekondë, pasi deputetët përplasinin duart mbi tavolina, ndërsa në një moment Ervin Salianji ndezi edhe flakadanë blu. Një gardist arriti t’i heqë nga dora Salianjit flakadanin, ndërsa ky i fundit tentoi ta godiste me karrige.