Lajme

Gjyqi i Veliajt, refuzohet kërkesa për shtyrje të seancave deri më 31 gusht

Gjykata e Posaçme në Shqipëri ka shtyrë për më 21 korrik procesin ndaj kryetarit të Tiranës, Erion Veliaj, dhe të akuzuarve të tjerë.

Më herët, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, kishte kërkuar që shqyrtimi gjyqësor të shtyhej deri në 31 gusht, kur asaj i përfundonte leja e lindjes, por Gjykata e refuzoi këtë kërkesë.

Vetë Veliaj nuk ishte i pranishëm në seancë dhe përfaqësohej nga avokati i tij, raporton A2CNN, transmeton Klankosova.tv.
Gjatë seancës, përmes mbrojtësit ligjor, Ajola Xoxa i ka kërkuar gjykatës shtyrjen e çështjes dhe pezullimin e shqyrtimit gjyqësor deri në përfundimin e periudhës së përcaktuar në një raport mjekësor që ka paraqitur, pas lindjes së fëmijës.

Sipas kërkesës së depozituar në gjykatë, Xoxa argumenton se dëshiron të jetë personalisht e pranishme në proces për të garantuar një mbrojtje efektive dhe nuk autorizon avokatët që ta përfaqësojnë në mungesë. Por kërkesa e saj nuk u mor parasysh.

Çështja gjyqësore ndaj Erion Veliaj lidhet me një hetim të SPAK për korrupsion dhe pastrim parash. Sipas akuzës, Veliaj dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme, përmes një skeme që përfshinte kontrata publike, leje ndërtimi dhe organizata të lidhura me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.

Prokuroria pretendon se përmes kësaj skeme janë siguruar përfitime financiare të paligjshme dhe janë fshehur burimet e tyre, ndërsa Veliaj i ka mohuar të gjitha akuzat, duke i cilësuar ato të pabazuara.

Veliaj qëndron në paraburgim prej datës 10 shkurt 2025, kur u arrestua në zyrën e tij.

Të Ngjashme