Katër nxënës shqiptarë janë ndaluar nga policia në qytetin e Kotorrit, në Mal të Zi, pasi kanë bërë simbolin kombëtar shqiptar të shqiponjës me duar në një rrugë të qytetit.
Sipas raportimeve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30 të ditës së djeshme, kur një grua e moshuar malazeze u ka kërkuar të rinjve që të ndalonin së bëri simbolin e shqiponjës, shkruan “Bota sot”.
Gruaja u është drejtuar nxënësve në gjuhën malazeze, por ata nuk e kanë kuptuar kërkesën e saj dhe kanë vazhduar të bëjnë simbolin kombëtar shqiptar.
Pas kësaj, e moshuara ka njoftuar policinë dhe ka paraqitur një kallëzim, duke pretenduar se ishte kërcënuar nga katër të rinjtë.
Në bazë të denoncimit, policia e Kotorrit ka shoqëruar nxënësit dhe ka vendosur ndalimin e tyre. Ata dyshohen për kundërvajtjen e nxitjes së urrejtjes kombëtare.
Katër nxënësit shqiptarë pritet të dalin sot para gjykatës kompetente në Mal të Zi, ku do të shqyrtohet çështja e tyre.
