Lajme

Gjyqi për Gërdecin, debate mes avokatëve të Mediut dhe çiftit që humbën djalin

Këtë të mërkurë është mbajtur në SPAK seanca e radhës për tragjedinë e Gërdecit ku janë marrë në pyetje dëshmitarët e parë lidhur me rastin. Ish-ministri Fatmir Mediu nuk ishte i pranishëm dhe përfaqësohej gjatë seancës nga avokatët e tij.

I pari që dëshmoi ka qenë Feruzan Durda, i ati i një prej viktimave. Gjatë dëshmisë së dhënë ai pranoi se djali i tij, 15 vjeçar punonte në fabrikë, deklaratë e cila ka sjellë debate të forta mes tij dhe deputetëve të Mediut, pasi ai nuk kishte deklaruar më herët se i biri punonte në fabrikën e demontrimit të armëve.

Durda ka thënë në sallën e gjyqit se vdekja e djalit të tij erdhi si pasojë e papërgjegjshmërisë së shtetit, duke e quajtur një krim shtetëror.

Pas tij, dëshmoi dhe Zamira Durda, e cila dha versionin e saj për ditën e ngjarjes. Ajo u shpreh se nuk ka asnjë problem personal me ish-ministrin Mediu, por sipas saj ishte urdhri i tij që solli tragjedinë e Gërdecit.

Mediu akuzohet për dy akuza të lidhura me “Shpërdorimin e detyrës” kryer në bashkëpunim. Vepra e parë penale për të cilën ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet, është ajo “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.

Kujtojmë që shpërthimi në Gërdec ndodhi më 15 mars (e shtunë) 2008, rreth orës 12:05 dhe nga shpërthimi humbën jetën të paktën 26 persona. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, dha dorëheqjen pak ditë mbas tragjedisë.

Ai nuk pranoi se kishte përgjegjësi për shpërthimin ose ndonjë lidhje korruptive në tregtinë e armëve dhe u shpreh se dorëheqja nga posti ministror ishte një “…përgjegjësi morale.”

GJKKO më herët pranoi kërkesën e SPAK për të marrë në pyetje 71 dëshmitarë në gjyqin ndaj Fatmir Mediut, pavarësisht se mbrojtja e ish-ministrit kërkoi 90 dëshmitarë, ku përfshiheshin dhe personalitete të huaja.