Zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë, të caktuara për 7 qershor, po konsiderohen si një nga momentet më të rëndësishme politike të viteve të fundit për vendin.
Në një klimë të tensionuar politike, të karakterizuar nga polarizimi i thellë mes partive kryesore dhe rënia graduale e besimit qytetar ndaj subjekteve tradicionale, këto zgjedhje pritet të përcaktojnë jo vetëm përbërjen e re të Kuvendit, por edhe drejtimin politik që do të marrë Kosova në vitet e ardhshme.
Në prag të këtij procesi zgjedhor, vëmendja është përqendruar te balanca e re politike që mund të krijohet pas numërimit të votave. Pwr kwtw janw ngritur disa pikëpyetje serioze mbi fatin e disa partive më të vogla, të cilat rrezikojnë të mbeten jashtë Kuvendit për shkak të pragut zgjedhor. Mes tyre përmenden Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partia Socialdemokrate (PSD), subjekte që në ciklet e fundit zgjedhore kanë hasur vështirësi në mobilizimin e votuesve.
Nëse këto parti nuk arrijnë të sigurojnë përfaqësim parlamentar, skena politike në Kosovë mund të pësojë një rikonfigurim të ndjeshëm. Një zhvillim i tillë do të favorizonte partitë më të mëdha, duke rritur peshën e tyre politike në Kuvend dhe duke e bërë më të thjeshtë krijimin e shumicave parlamentare. Në të njëjtën kohë, mungesa e partive të vogla do të zvogëlonte pluralizmin politik dhe hapësirën për zëra alternativë në debatet institucionale.
Në këtë kontekst, zgjedhjet e 7 qershorit nuk do të jenë vetëm një garë për mandate parlamentare, por një test i rëndësishëm për të ardhmen politike të Kosovës, për raportet mes forcave kryesore politike dhe për mënyrën se si qytetarët po e ridimensionojnë besimin e tyre ndaj klasës politike aktuale.
Jakupi: Ajo që pritet pas 7 qershorit është një Kuvend më i përqendruar tek partitë e mëdha
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli analisti Zejnullah Jakupi, i cili parashikoi se zgjedhjet e qershorit do të bëjnë rikonfigurim të skenës politike, por jo ndryshim të tërësishm të saj.

Zejnullah Jakupi
Sipas tij, LVV, LDK e PDK do e domonojnë skenën paralamentare, derisa vlerëson se AAK e PSD e kanë të vështirë ta kalojnë pargun zgjedhor.
“Zgjedhjet e 7 qershorit pritet të prodhojnë më shumë një rikonfigurim të skenës politike në Kosovë sesa një ndryshim total të saj. Në këtë moment, duket qartë se po shkojmë drejt një sistemi më të polarizuar politik, ku tre partitë kryesore – LVV, LDK dhe PDK – do ta dominojnë edhe më shumë skenën parlamentare.
Ekziston realisht mundësia që disa parti më të vogla, si AAK apo PSD, të kenë vështirësi serioze për ta kaluar pragun zgjedhor prej 5 për qind. Nëse kjo ndodh, atëherë vota e tyre praktikisht do të shpërndahet tek subjektet më të mëdha, duke e forcuar më tej pozitën e LVV-së, por edhe të LDK-së dhe PDK-së”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Jakupi konsideron se, LDK mund të dalë forcë e dytë në këto zgjedhje dhe ta tejkalojë PDK-në.
Në rast se ndodhë një gjë e tillë, beson se LDK do kishte mundësi të hynte në negociata serioze në koalicion me LVV-në.
“Një element shumë interesant në këto zgjedhje është edhe mundësia që LDK ta tejkalojë PDK-në në numër votash dhe të dalë si forca e dytë politike në vend. Nëse ndodh ky skenar, atëherë do të hapej një dinamikë krejtësisht e re politike, ku LDK mund të hynte në negociata serioze për koalicion me LVV-në. Një marrëveshje e tillë do ta stabilizonte më lehtë shumicën parlamentare dhe do të ndryshonte balancën aktuale politike në Kosovë.
Në këtë rast, do të bëhej shumë më e sigurt edhe zgjedhja e Vjosa Osmanit për presidente, pasi ajo do ta kishte jo vetëm mbështetjen e LVV-së, por edhe përkrahjen e plotë të LDK-së si pjesë e shumicës qeverisëse. Kjo do ta ulte ndjeshëm mundësinë e një bllokade institucionale rreth procesit të zgjedhjes së presidentit”.
Më tej, duke parë zhvillimet e fundit, paralajmëroi se, këto zgjedhje pritet të ndryshojnë balanca e brendshme politike.
“Ajo që pritet pas 7 qershorit është një Kuvend më i përqendruar tek partitë e mëdha dhe me më pak hapësirë për partitë tradicionale të mesme. Megjithatë, edhe në këtë skenar, vështirë se një subjekt do ta sigurojë i vetëm shumicën prej 61 deputetësh, prandaj Kosova me shumë gjasë do të futet sërish në negociata të vështira për krijimin e qeverisë së re.
Skenarët më realistë mbeten ose vazhdimi i qeverisjes nga LVV me partnerë më të vegjël dhe deputetët e komuniteteve jo-shumicë, ose një formulë opozitare mes LDK-së dhe PDK-së nëse matematika parlamentare ua mundëson këtë. Në çdo rast, pas këtyre zgjedhjeve pritet të ndryshojë balanca e brendshme politike, sidomos nëse partitë më të vogla mbesin jashtë Kuvendit”, përfundoi Zejnullah Jakupi për “Bota sot”.
Mehmeti: Balanca e deritashme politike, vështirë se do të ndryshojë
Kurse, opinionisti Gani Mehmeti foli për zgjedhjt dhe atë se çka synojnë partitë me 7 qershor.

Gani Mehmeti
Sipas tij, të gjitha synojnë të arrijnë më lartë, por disa parti e kanë treguar në të kaluarën sa kanë qenë për shtet e sa për pushtet.
“Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit janë regjistruar 22 parti politike dhe tri koalicione parazgjedhore. Me sa dimë, është edhe një kandidat i pavarur.
Të gjithë këta garues në zgjedhje synojnë fitoren, por një parti do të dalë e para, ndërsa të tjerat do të renditen pas saj, varësisht nga mbështetja e votuesve.
Secila parti synon të arrijë sa më lart, pa marrë parasysh se disa kanë qenë më parë në qeveri dhe kanë treguar veten se sa janë për shtet e sa për pushtet”.
Mehmeti në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh, PSD nuk do duhej të hynte në garë zgjedhor, pasi nuk do e kalojë as pragun.
I njëjti fat, parashikoi se, e pret edhe AAK-në.
“Në këtë garë, gjithmonë sipas parashikimeve tona, PSD nuk është dashur fare të hyjë në garë, sepse ajo ka qenë, ka mbetur dhe do të mbetet e dështuar.
Më vjen keq ta them, por sipas asaj që kemi parë që nga formimi i kësaj partie të dalë nga LVV-ja, ajo asnjëherë nuk ka fituar. Me sa di unë, nuk ka arritur të sigurojë as edhe një deputet, sepse nuk ka mundur ta kalojë pragun prej 5%, i cili kërkohet për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Sipas asaj që flitet, duke u bazuar në zgjedhjet e mëparshme, AAK mezi pati arritur ta kalojë pragun. Ndërkaq, tani, me dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryetarit të kësaj partie, është shumë më e vështirë që ta kalojë pragun, përkundër votuesve të saj besnikë që i ka që nga themelimi. Një numër zgjedhësish e kanë votuar këtë parti për hir të kryetarit të saj të deridjeshëm, Ramush Haradinaj. Tani mbetet pikëpyetje nëse do ta kalojë pragun apo jo, gjë që mbetet të shihet”.
Në fund, opinionisti potencoi se, balanca politike të deritashme vështirë se do të ndryshojnë, madje parashikoi se, rezultati do të mbetet i ngjashëm me atë të 28 dhjetorit 2025.
“Nga ky ngërç, duket paksa e vështirë që të formohen sërish të gjitha institucionet pa ndonjë marrëveshje mes tri partive më të mëdha.
Pas zgjedhjeve të 7 qershorit do të duhet të formohen Kuvendi, Qeveria dhe, nëse nuk ndërhyn Amerika për zgjedhjen e presidentit/es, vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje.
E themi këtë sepse, sipas matematikës sonë, LVV zor se do të fitojë aq deputetë sa që, së bashku me minoritetet joserbe, të sigurojë 80 deputetë. Por po aq e pabesueshme është që këtë numër deputetësh ta arrijnë edhe të gjitha partitë ish-opozitare së bashku me partitë minoritare joserbe.
Kështu, ne mendojmë se balanca e deritashme vështirë se do të ndryshojë. Përafërsisht, rezultati do të mbetet i ngjashëm me atë të 28 dhjetorit 2025.
Për të ecur përpara dhe jo drejt zgjedhjeve të sërishme, gjithsesi duhet të hiqen inatet. Duhet të mendohet për shtetin dhe, kur mendohet për shtetin, duhet të shtrihen duart e pajtimit dhe të ecet përpara në krijimin e institucioneve dhe zhvillimin e vendit”, përmbylli Gani Mehmeti për “Bota sot”.
