Lajme

Gojnovci: Kërkesat e LDK-së ndaj VV-së janë të ekzagjeruara, oferta për bashkëpunim është gjeneroze

Analisti politik, Ejup Gojnovci e konsideron të ekzagjeruar kërkesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit dhe për përfshirje më të madhe në qeveri.

Sipas tij, LDK-ja po kërkon më shumë sesa pesha që ka marrë nga rezultati zgjedhor, duke pasur parasysh se në zgjedhjet e fundit ka siguruar rreth 16 për qind të votave dhe 18 deputetë.

Gojnovci ka thënë se oferta e VV-së për LDK-në, nëse përfshin postin e kryetarit të Kuvendit, disa ministri dhe pozitën e zëvendëskryeministrit të parë, është një ofertë “mjaft gjeneroze” që duhet të merret në konsideratë.

“Unë e shoh se LDK-ja, duke kërkuar postin e presidentit dhe po ashtu hise në qeveri, po kërkon pak më shumë sesa që realisht ka fituar në zgjedhjet e fundit. Kjo për faktin se ka vetëm 18 deputetë dhe ka marrë jo më shumë se 16 për qind të votave. Për të qenë realist, mendoj se oferta e Lëvizjes Vetëvendosje për LDK-në, nëse qëndron ajo që po thuhet se i është ofruar posti i kryetarit të Kuvendit, pjesëmarrje në qeveri dhe pozita e zëvendëskryeministrit të parë, është mjaft gjeneroze dhe do të duhej të pranohej nga LDK-ja. Kjo, duke marrë parasysh edhe faktin se, nëse dështon një marrëveshje mes këtyre dy subjekteve politike, vendi rrezikon seriozisht të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, diku kah fundi ose mesi i nëntorit të këtij viti”, ka deklaruar ai.

Ai ka theksuar se arritja e një marrëveshjeje mes dy subjekteve do të ishte e rëndësishme për krijimin e institucioneve dhe për stabilitetin politik të vendit.

“E konsideroj se oferta e VV-së për LDK-në është e mjaftueshme jo vetëm për faktin se vendi ka nevojë për ndërtimin e institucioneve, por edhe sepse me këtë marrëveshje LDK-ja, duke marrë një pjesë të ministrive dhe postin e kryetarit të Kuvendit, besoj se do të duhej të mjaftohej në raport me votën e fituar.Një marrëveshje e tillë do t’i bënte mirë edhe Republikës së Kosovës, pasi së pari do të mundësonte krijimin e institucioneve, së dyti do të forconte cilësinë e qeverisjes dhe, së treti, një aspekt jo më pak i rëndësishëm, veçanërisht për LDK-në, do t’i jepte hapësirë dhe kohë që të merrej me problemet e brendshme që i ka”, ka shtuar ai.

Ai ka shtuar se largimi i PDK-së dhe AAK-së nga bisedimet ka ndikuar që LDK-ja të mbetet partneri kryesor i mundshëm për formimin e institucioneve, gjë që sipas tij ka rritur edhe kërkesat e kësaj partie.

“LDK-në e shoh pak të ekzagjeruar në kërkesat e saj të tanishme, ndërsa kësaj qasjeje, sipas meje, i ka ndihmuar edhe situata e krijuar pas largimit të PDK-së dhe Aleancës nga tavolina e bisedimeve për krijimin e institucioneve.LDK-ja ka mbetur lojtari kryesor dhe i vetëm me të cilin mund të krijohen institucionet. Po të kishte konkurrencë, pra nëse në lojë do të ishin edhe PDK-ja dhe Aleanca, atëherë ndoshta apetitet e LDK-së nuk do të ishin aq të larta”, ka përfunduar ai./teve1.info/

Të Ngjashme