Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së motrës së Erjon Vishkullit, 28-vjeçarit nga Elbasani që mbeti i plagosur në sy gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama ka kundërshtuar pretendimet e familjares së të riut lidhur me mënyrën se si është organizuar dërgimi i tij për trajtim të specializuar në Itali.
Motra e Vishkullit kishte falënderuar personat që, sipas saj, morën iniciativën për ndërhyrjen mjekësore, duke pretenduar se transporti dhe shpenzimet ishin siguruar nga familja, miqtë dhe mbështetësit e saj, jo nga shteti.
Megjithatë, kryeministri ka dhënë një version tjetër të ngjarjes, duke deklaruar se vendimi për dërgimin e 28-vjeçarit në Romë është marrë prej tij personalisht.
“Siç informova më parë, iniciativën për shërbimin e specializuar mjekësor të djalit në Itali nuk e kanë marrë ‘persona’, po e kam marrë unë personalisht”, shkruan Rama.

Ai thekson se transporti me avion mjekësor dhe mbulimi i shpenzimeve janë mundësuar nga shteti shqiptar, ndërsa shton se e ka takuar të riun dhe vëllanë e tij në sallën VIP të aeroportit, përpara nisjes drejt Italisë.
Në reagimin e tij, Rama ka kundërshtuar edhe akuzat se po përpiqet ta përdorë rastin për përfitim politik, duke deklaruar se ndërhyrja është bërë për arsye humanitare.
“Aspak për protagonizëm, sepse protagonizmin këto ditë e kanë të gjithin dhunuesit dhe nxitësit e tyre, po për humanizëm”, shprehet kryeministri.
Megjithatë, një tjetër pjesë e deklaratës së tij ka tërhequr vëmendjen, pasi Rama i është referuar edhe personave të plagosur gjatë protestave si “dhunues të lënduar”.
“Kur pushon marrëzia e gurëve e molotovëve, edhe dhunuesit e lënduar janë qytetarë të këtij vendi që duhen ndihmuar, mjekuar, shëruar”, shkruan ai, pa paraqitur në këtë reagim prova që lidhin konkretisht Vishkullin me veprime të dhunshme.
28-vjeçari pësoi një dëmtim të rëndë në sy gjatë protestës, ku sipas raportimeve dyshohet se u godit nga një plumb gome. Gazetari Flavio Qarri ka raportuar se i riu ka humbur shikimin në syrin e majtë, ndërsa tashmë është dërguar në Itali për trajtim të specializuar.
Reagimet e kryeministrit dhe të motrës së Vishkullit paraqesin dy versione të kundërta lidhur me organizimin dhe financimin e trajtimit jashtë vendit.
