“Nammos”, një nga restorantet më të njohura në Mykonos, është gjobitur nga autoritetet greke me 3.1 milionë euro për shkelje të shumta tatimore dhe evazion fiskal. Sipas hetimeve për vitin 2018-2019, shuma totale e evazionit fiskal arrin në 1.562.529,81 euro dhe pas përllogaritjes së gjobave dhe shtesave, totali shkon në 3.119.434,51 euro, thote JOQ. Gjoba iu komunikua dy prej tre themeluesve të restorantit, ndërsa kontrolli do të vazhdojë edhe për vitet e ardhshme. Por përveç shkeljeve tatimore dhe evazionit fiskal, punonjësit e “Nammos” kanë raportuar ankesa të shumta në lidhje me trajtimin e tyre, duke shtuar shqetësimet mbi menaxhimin e kompanisë.
Sipas hetimit të kryer nga audituesit e AADE, “Nammos” ka dështuar të paguajë një sërë detyrimesh tatimore për vitin 2018-2019. Shuma e papaguar për TVSH arrin në 47,993.12 euro, ndërsa dy ortakët menaxhues kanë dështuar të kthejnë shtetit TVSH-në prej 129,150 euro dhe 21,027.78 euro, si dhe pullat përkatësisht 110,043.20 dhe 382,707.29 euro. Tatimi mbi të ardhurat prej 871,608.42 euro gjithashtu mbetet i papaguar, duke e çuar totalin e borxheve në 1,562,529.81 euro. Pavarësisht këtyre shkeljeve, menaxherët e kompanisë, Zanni Francesco dhe Sami Ibrahim, vazhdojnë të jetojnë jashtë Greqisë, në Monako dhe Dubai. Të dy ata janë të përfshirë në një sistem menaxhimi që përfshin krijimin e të paktën 58 kompanive të tjera, ku dyshohet se transferojnë detyrimet e tyre financiare dhe nxjerrin likuiditet për nevojat e tyre personale.
Sipas mediave greke, paga e gushtit iu është paguar punëtorëve në fund të shtatorit, ndërsa bakshishi nga ky sezon, në vlerën 1.200.000 euro, nuk u është paguar pasi e kanë mbajtur dy menaxherët. Përveç kësaj me vonesë është paguar edhe stafi grek në Kanë për muajin shtator, që të dy menaxhohen nga Francesco-Ibrahim me një përqindje prej 55%, ndërsa rroga e shtatorit ende nuk është paguar për punëtorët në Mykonos. Ndërkohë që në Shqipëri shkeljet dhe evazioni i bizneseve mund të jetë edhe më i madh, por duke patur një mik dhe duke dhënë “një kafe të mirë” për audituesit, gjithçka kalon në heshtje dhe të vetmit që gjobiten janë ata me të ardhura minimale, sa për të paguar qiranë.
bal