Lajme

Gruda, hartuesi i Ligjit për Specialen: Nuk ka asnjë gabim, qëndroj prapa çdo shkronje

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, njëri nga hartuesit e Ligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ka deklaruar se ligji “nuk ka asnjë gabim”. Deklarata vjen vetëm pak orë pasi partia e tij kërkoi kthimin e ligjit në Kuvend për rishqyrtim.          

Përmes një postimi në Facebook, Gruda tha se qëndron prapa çdo shkronje të ligjit dhe se ai është konsultuar me këdo që duhej konsultuar.

Qëndrimi i tij bie ndesh me arsyetimin e Grupit Parlamentar të PDK-së. Në kërkesën drejtuar presidentes Justina Shiroka-Pula, PDK-ja tha se rishqyrtimi do të mundësonte plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit. Presidentja e pranoi kërkesën dhe e ktheu ligjin në Kuvend të enjten.

Gruda nuk e ka kundërshtuar drejtpërdrejt vendimin e partisë. Ai shkroi se do të kishte preferuar që sot të flitej për zbatimin e ligjit, jo për rihapjen e debatit. Sipas tij, nëse Kuvendi e rishqyrton, kjo duhet bërë me argumente juridike dhe me vendosmëri për ta ruajtur thelbin e ligjit.

Postimi i plotë:

Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj. Është konsultuar me këdo që është dashur të konsultohet.

Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji. E di sa punë, sa përpjekje dhe sa përgjegjësi ka pasur pas tij.

Do të kisha preferuar që sot të flisnim për zbatimin e ligjit, jo për rihapjen e debatit mbi të. Megjithatë, nëse Kuvendi e rishqyrton, kjo duhet të bëhet me përgjegjësi, me argumente juridike dhe me vendosmëri për ta ruajtur thelbin e tij.

Unë nuk tërhiqem nga bindja ime, nuk distancohem nga puna ime dhe nuk heq dorë nga qëllimi për të cilin ky ligj u hartua. Çdo hap i mëtejshëm duhet të na afrojë drejt një drejtësie të pavarur që e mbron luftën tonë të drejtë çlirimtare, jo të na largojë prej saj.

Për të tjerat, këtu do të jemi dhe do të flasim.

Të Ngjashme