Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se PDK-ja nuk e përjashton mundësinë që çështjen e afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Gruda ka thënë se me tejkalimin e afatit për konstituimin e Kuvendit po shkelet Kushtetuta e Kosovës.
“Sot po rrënohet Kushtetuta e Kosovës, por jo më nga Millosheviqi, prej njerëzve që i ka zgjedhur populli i Kosovës. Kjo është e pabesueshme dhe e papranueshme”, ka thënë Gruda.
Ai ka theksuar se afati për konstituimin e Kuvendit ka skaduar të premten, ndërsa nuk e ka përjashtuar mundësinë që PDK-ja t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, para nisjes së seancës është parë duke hyrë në Kuvend.
Ai para mediave ka thënë shkurt se do të mblidhet grupi parlamentar dhe se nuk ka çka të flasë më shumë.
